Shqipëria ka hedhur një hap tjetër të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot, më 11 qershor 2025, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së ka autorizuar Presidencën e BE-së dhe Presidencën Polake për të dërguar një letër Shqipërisë, duke e ftuar të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e Grupkapitullit 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Ky zhvillim i rëndësishëm vjen pasi Shqipëria është vlerësuar si mjaftueshëm e përgatitur për të hapur negociatat mbi këta kapituj, të cilët përfshijnë:
-
Kapitullin 14, që ka të bëjë me politikën e transportit dhe synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;
-
Kapitullin 15, i cili lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;
-
Kapitullin 21, që fokusohet tek rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhja infrastrukturore e Shqipërisë me vendet e BE-së;
-
Kapitullin 27, që vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike.
Negociatat për këto kapituj pritet të hapen zyrtarisht në Konferencën e Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Ky hap i ri në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE konsiderohet si një investim i drejtpërdrejtë për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë. Përmes këtyre negociatave, vendi do të avancojë drejt ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, forcimit të lidhjes rajonale e evropiane, garantimit të furnizimit me energji të pastër dhe të përballueshme, si dhe mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e ardhshme.
Ky vendim i Bashkimit Evropian është një dëshmi e progresit të Shqipërisë në reformat ekonomike dhe forcimit të institucioneve vendase, duke konfirmuar mbështetjen e BE-së për një proces zgjerimi të drejtë dhe të besueshëm, të bazuar në rezultate konkrete dhe të matshme.