Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektuan sot punimet për ndërtimin e shkollës së re “Met Hasa” në Durrës, një investim i ri që do të krijojë kushte bashkëkohore për 250 nxënës të këtij institucioni arsimor.

Punimet pritet të përfundojnë në janar të vitit 2026, ndërkohë që ky investim është pjesë e një programi të gjerë rikonstruksioni dhe ndërtimi të objekteve arsimore në të gjithë vendin.

Ministrja Manastirliu theksoi se sezoni i verës është vënë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës arsimore:
“Kjo është një prej shkollave ku po investohet gjatë kësaj periudhe pushimesh verore. Kemi të gjithë fokusin te mirëmbajtja e rrjetit të shkollave ekzistuese dhe te investimet e reja që duam t’i finalizojmë. Vetëm për ciklin 2025-2026, janë mbi 4 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kantiere të reja të shkollave dhe objekteve sportive. Janë 22 objekte arsimore në të gjithë vendin dhe 18 objekte për sportin, pra 40 objekte në total në të cilat po investohet duke filluar nga ky vit, ndërkohë që përmbyllim edhe 40 të tjera të nisura vitin e shkuar, për të bërë të mundur që të kemi një infrastrukturë dinjitoze për më shumë cilësi në arsim.” u shpreh Manastirliu.

Investimi në shkollën “Met Hasa” në Durrës është pjesë e një vizioni afatgjatë të Qeverisë për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës arsimore në Shqipëri. Nëpërmjet një programi të integruar ndërtimi dhe rehabilitimi, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.
Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet tek cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore. Ky investim masiv është një hap konkret drejt ndërtimit të një sistemi arsimor më të fortë, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.