Pyetja që mund t’ju drejtohet rëndom ‘skifterëve’ të Sali Berishës, të cilët bënë ‘varravingo’ për muaj të tërë nga Tirana në Uashington dhe anasjellas është shumë e thjeshtë por domethënëse: E hoqët ‘non gratën’ e liderit të PD?!
Apo, pyetja që vërtitet në mendjen e të gjithë shqiptarëve për të dërguarit e kreut të PD është akoma më e thjeshtë: kur do të udhëtojë Berisha përtej Atlantikut, për në SHBA, qoftë dhe me një vizë turistike apo vizë të sanksionuar për të marrë pjesë në një institucion ndërkombëtar, me seli në tokën amerikane! Nuk po pyesim se sa lekë kanë kushtuar këto udhëtime në grup!
Nëpër mediume, deklarata publike dhe panele televizive këta ‘emisarë’ e kishin bërë si të sigurtë heqjen e ‘non gratës’ nga administrata e presidentit Trump, pasi sipas tyre vendimi ishte marrë në mënyrë abuzive e me lobim të Edi Ramës e Sorosit nga administrata paraardhëse e ish presidentit Joe Biden. Përcaktohej si fakt i kryer ky vendim i Trump për shuarjen e ‘non gratës’!
Këto premtime ishin para zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti. Madje dhe u pagua goxha rëndë për të marrë qoftë dhe një vizë nga SHBA për Berishën në prag të 11 majit, gjë që nuk ndodhi. Plot 6 milionë dollarët e hedhur për të lobuar për një vizë, dhanë një produkt tepër të vobektë: një postim të një gazetari që kishte marrë opiion nga një zyrtar pa emër në DASH i cili i shpjegonte se si e përfitojnë vizën ‘non gratat’ në SHBA. Informacion që merret pa lekë në faqen e DASH.
Nuk po i hyjmë faktit se ku i ka gjetur këto miliona dollarë Berisha për të lobuar për heqjen e ‘non gratës’ apo për një vizë fundja për të udhëtuar drejt SHBA. Sa për sy e faqe të paktën! Sepse ai elektricisti tropojan nuk besojmë se ka mbledhur 6 milionë dollarë, pjesa e dukshme themi pasi nëpër koridoret e PD thuhet se janë afër 20 milionë dollarë të hedhura me gjithë pagesën e drejtuesit të fushatës së PD, Chris LaCivita. Ndoshta ky elektricist mund ta kishte dëshirën, por nuk e ka pasur dhe as nuk e ka takatin vetë, madje as rrethin shoqëror, për të mbledhur një shumë kaq tronditëse parash, të destinuara për të rregulluar marrëdhëniet e Berishës me SHBA. Pasi PD i kishte në rregull marrëdhëniet me Uashingtonin, madje pa kokërr leku fare, para se të merrte Berisha vulën e logon e saj. Pas këtij akti ato u bllokuan!
Teksa Berisha dhe mbështetësit e tij ishin në pritje të ‘zbarkimit të aleatëve’ për të ‘shporrur regjimin dhe narkoshtetin e Edi Ramës, e njeriut të Sorosit në Shqipëri’, në mënyrë të papritur nga Uashingtoni mbërriti mandata. Që u preu krahët përfundimisht, jo se nuk e dinin se kështu do të ndodhte, por sepse deri më tani ishte mbajtur e fshehtë për militantët e thekur, pas humbjes rrënuese më 11 maj, të paktën sa për të kaluar rehat këtë verë të nxehtë post-zgjedhjesh’.
Teksa Berisha dhe ithtarët e tij ishin në delir pas botimit të një opinioni të Agim Neshos në një media amerikane me të cilin ‘kishte tronditur Ramën’, me sa duket pjesë e ‘paketës’ së lobimit në SHBA e paguar me afër 20 milionë dollarë, papritur vjen lajmi për një urdhër që kishte nxjerrë presidenti Donald Trump. Se diçka kishte tronditur Berishën u pa që në konferencën e shtypit me gazetarët, ku lideri demokrat nuk ‘thithte’ fare dhe ngatërroi e bëri lëmsh dy mediat shqiptare me median amerikane. S’orientohej fare. Me sa duket ishte tronditur me themel Berisha dhe nuk kishte faj. Lajmi i keq nuk përballohet në këtë moshë, aq më tepër kur ke investuar 20 milionë dollarë për të marrë një vizë për në SHBA, ndërsa në këmbim merr një goditje të fortë për një njeri që s’ka kohë për të pritur, pasi është mbi 81 vjeç!
Lajmi kishte mbërritur ndoshta sëpari te Berisha, më i interesuari për çfarë ndodh në Uashington dhe që ka lidhje me Ballkanin! Pra njeri më në hall në këtë vend! Mandata kishte të bënte me faktin se Trump shtyu me një vit urdhërin ekzekutiv për gjendjen emergjente në Ballkanin Perëndimor, ku përmenden edhe individët e korruptuar. Në njoftim, përmendeshin dhe individë që kanë minuar sundimin e ligjit e demokracinë, si një referencë për politikanët që janë shpallur ‘non grata’, mes të cilëve ‘shkëlqen’ dhe Sali Berisha. Pas armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit, Presidenti i SHBA, me këtë vendim Trump riktheu ankthin në radhët e politikës shqiptare, pasi shumë prej politikanëve ndihen të pasigurt, ndërsa u erdhi ky mesazh i fortë nga Uashingtoni.
Trump ka vendosur të mbajë në fuqi urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, i shpallur fillimisht në vitin 2001 dhe i përditësuar në vitet 2003, 2021 dhe 2025. Në vitin 2021, gjatë presidencës së Biden, Shqipëria u përfshi për herë të parë në këtë urdhër, duke u renditur në të njëjtin grup me vendet e tjera të rajonit dhe disa ish-republika sovjetike. Ky vendim erdhi pas shpalljes “non grata” të Berishës dhe u konsiderua një mesazh i drejtpërdrejtë për zyrtarët e korruptuar. Dekreti i 2021 parashikonte masa ndëshkimore ndaj individëve që cënojnë paqen e stabilitetin në Ballkan, përmes sanksioneve dhe shpalljeve “non grata”.
Në janar 2025, pak ditë para se të largohej nga detyra, presidenti Biden ndërmori ndryshime të tjera, duke përfshirë edhe bllokimin e pasurive në SHBA për zyrtarët nga Ballkani që zotërojnë prona atje. Presidenti Trump nuk ka ndryshuar asgjë nga këto akte dhe ka vendosur të mbajë në fuqi të gjitha masat e miratuara nga administrata e mëparshme e Biden.
Vendimi i Trump është një goditje për Berishën dhe mbështetësit e tij, të cilët kishin shpresuar se me rikthimin e Trump në pushtet, statusi “non grata” do të zhbëhej. Jo vetëm që nuk ndodhi, por mesazhi është se mund të ketë edhe masa të tjera. Por që në fund të herës, Trump me vendimin e tij të ditëve të fundit jo vetëm që e vulosi përfundimisht mbajtjen në fuqi të ‘non gratës’ për Berishën e familjen e tij, por e çimentoi përfundimisht këtë vendim sanksionimi, çka paralajmëron se sanksionimi për kreun e PD dhe familjarët e tij do të vijojë në pafundësi!
Mbi të gjitha administrata e Trump me këtë vendim tregoi qartë se askush nuk mund të blejë me para Amerikën, sikurse pretendoi Berisha dhe mbështetësit e tij teksa hodhën miliona dollarë si lobim për blerjen e vendimit për heqjen e “non gratas’ apo të një vize për SHBA. Ndoshta krijimi i një opinioni të tillë se Amerikën mund ta blejë kushdo që ka para, ka ndikuar në përshpejtimin e marrjes së vendimit të Trump për të lënë përfundimisht Berishën person ‘non grata’ në SHBA.
Veprimi i fundit i Trump konfirmon se qëndrimi i Uashingtonit për Ballkanin mbetet konstant, pavarësisht ndryshimeve në administratë, dhe se frika për ndëshkim nuk duhet të largohet nga asnjë aktor i politikës shqiptare. Dhe një ditë pasi Trump shtyu me një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjen emergjente në Ballkanin Perëndimor, ku përmenden edhe individët e korruptuar, kreu i PD Berisha bënte sikur nuk kuptonte, teksa iu shmang pyetjes së gazetarëve.
Teksa u pyet për këtë vendim të administratës amerikane e presidentit Trump, Berisha deklaroi se SHBA nuk e ka me të, por sipas tij një vendim i tillë ka ardhur për shkak të karteleve të drogës dhe qeverisë Rama. Pra, sipas Berishës Trump e ka me Ramën! “Ramaduro. Çfarë komenti tjetër do. Tre ditë para kryeministri i Shqipërisë nga media kryesore numër një e SHBA u damkos Ramaduro. Tre javë më parë një zyrtar i lartë i departamentit të drejtësisë solli këtu mesazhin e ministrit të drejtësisë së SHBA, apo prokurorit të përgjithshëm, me të cilin kërkon që Shqipëria të merret me kartelet e saj të drogës. Por për këtë bien këto kambana? A është folur ndonjëherë për kartele droge? Nuk është folur kurrë. A është cilësuar ndonjëherë Rama Ramaduro, unë e kam cilësuar Noriega. Epiteti im bëri nuk ngjiti Ramaduro në vend. E kapi dhe e shpalli media nr. 1 e botës. Pra si të mos e shpallë Trump Ballkanin një zonë të rrezikshme, kartelet po, Ramaduro po. Të gjitha së bashku”, u shpreh Berisha.
Pas këtij vendimi dramatik për të, Berisha gjen kohën dhe pa iu dridhur syri deklaron se vendimi i Trump s’ka asnjë lidhje me të por me Ramën. Pavarësisht se fliste për të sanksionuarit në rajon, ndonëse pa emër, por ‘non grata’ është shpallur Berisha në SHBA dhe jo Edi Rama! I cili, ka pasur si mysafirë në Shqipëri vajzën e Donald Trump, Invanka Trump të cilësuar nga shumëkush si trashëgimtarja politike e të atit. bashkë dhe dhëndërin Jared Kushner. Do të investojnë miliarda dollarë në ishullin e Sazanit dhe këto ditë u panë duke shijuar pushimet në Vlorë!
Tashmë jo vetëm Berisha por as demokratët nuk kanë më pritshmëri nga SHBA dhe administrata e Trump për të hequr ‘non gratën’ e kreut të PD dhe familjarëve të tij, njëri prej të cilëve mund të trashëgojë dhe PD-në, në momentin kur ‘misioni’ i Berishës mbi tokë përfundon, dhe shkon në ‘gjirin’ e të Plotfuqishmit! Bashkë me të shkon në ‘amëshim’ dhe PD. E cila në çdo palë zgjedhje humb nga 250 mijë votues demokratë. Të paktën në dy zgjedhjet e fundit kështu ka ndodhur!
Duke parë këtë fund të afërt të PD me Berishën kryetar, demokratët kanë nisur të shohin hallet e tyre! Kanë nisur ‘sistemimin’ dhe në administratën shtetërore të drejtuar nga PS dhe Edi Rama. Rasti më konkret është ai i ish kryetarit të PD Vlorë, Genc Deromemaj, i cili u emërua drejtor i Kadastrës së këtij qarku! Ka dhe raste të tjera të braktisjes së madhe, çka tregon se frymëzimi në PD dhe tek opozita ka marrë fund! Sa kohë që të jetë në krye të saj Sali Berisha, tashmë një ‘non grata’ funksional në SHBA dhe nga Trump, kjo PD nuk ka frymë, s’ka ringritje!.
Ndodh që as leku herë herë ‘nuk e hedh ujin përpjetë’, aq më tepër kur ky është lek haram pasi është marrë përmes abuzimit nga paratë e shqiptarëve. Dështimi i Berishës tregoi se kur je i zhytur as milionat e hedhura për lobim dhe për të ndryshuar fatin politik, s’të bëjnë derman. Thjeshtë dhe vetëm po hidhen lekë për të plotësuar tekat e një plaku, të cilit i është mbushur mendja se pa të në krye, nuk ka opozitë në këtë vend. Për fatin e keq të PD dhe fatin e mirë të vendit, PD dhe opozita e këtij modeli do të jetë për shumë e shumë vite larg pushtetit! Është e sigurtë kjo!