Milani ka nisur të ndërtojë skuadrën për sezonin 2025-2026 me një objektiv të qartë: t’i japë Masimiliano Alegrit një formacion konkurrues në të gjitha frontet.
Pas një sezoni të shoqëruar me pasiguri dhe luhatje, sidomos në repartin difensiv, ku mbrojtja ishte një nga pikat më të dobëta, kuqezinjtë janë në kërkim të përforcimeve cilësore. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, emri i fundit që është futur në orbitën e Milanit është ai i Kim Min Jae, qendërmbrojtësi koreanojugor i Bajernit dhe ishi i Napolit kampion në sezonin 2022-2023. Një rikthim në Serinë A për të duket gjithnjë e më i mundshëm, duke marrë parasysh që gjigantët gjermanë nuk e shohin më si pjesë të projektit dhe janë të hapur për shitjen e tij.
Milani është një destinacion që i pëlqen mbrojtësit, por problemi kryesor mbetet aspekti financiar. Bajerni nuk pranon formulën e huazimit dhe kërkon të arkëtojë rreth 30 milionë euro për të shmangur një humbje kapitale. Për më tepër, Kim ka një pagë të konsiderueshme prej 6.5 milionë euro në sezon, e cila e vështirëson përputhjen me strukturën aktuale të rrogave të Milanit.
Pikërisht për këto arsye, për momentin, flitet më shumë për një “sugjerim merkatoje” sesa për një objektiv konkret. Klubi ka gjithashtu në vëzhgim alternativa të tjera më të arritshme, si: Mario Gila (Lacio), Xhovani Leoni (Parma), Pietro Komuco (Fiorentina) dhe Berat Gjimshiti (Atalanta).