Sistemi i prokurorisë vijon të përballet me mungesë të theksuar stafesh. Gjatë vitit 2024, nga 341 prokurorë që parashikohen në organikë në të gjithë vendin, vetëm 220 ishin në detyrë, duke lënë 121 vende vakante – gati 35% e totalit.
Kjo boshllëk i madh nuk është vetëm pasojë e procesit të vetingut, por edhe e largimeve për shkak të arritjes së moshës së pensionit dhe dorëheqjeve.
Në kushtet kur sistemi është boshuar dukshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) thekson se plotësimi i vakancave ka qenë prioritet kryesor gjatë vitit 2024, sidomos pas ndryshimeve të shkaktuara nga zbatimi i hartës së re gjyqësore.
Nga mekanizmat ligjorë, më i përdoruri ka qenë caktimi i përkohshëm i prokurorëve në 36 raste, për të ruajtur funksionalitetin e zyrave të prokurorisë që ndodheshin në situatë emergjente dhe pamundësi për të punuar normalisht.
Në 23 raste të tjera, sistemit i janë bashkuar 23 studentë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2024, të caktuar në detyrë për të zbutur mungesat.
Ndërkohë, 19 prokurorë u komanduan jashtë sistemit si ndihmës-magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe anëtarë të KLP, duke reduktuar edhe më tej numrin e tyre në zyrat rajonale.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend, KLP pretendohet se ka menaxhuar situatën duke siguruar funksionimin e të gjitha zyrave, megjithëse mungesat e mëdha mbeten një sfidë reale.
Pritet që në vitin 2025 në Shkollën e Magjistraturës të diplomohen 26 magjistratë të profilit prokuror, një përpjekje për të plotësuar disa nga vendet bosh në sistem.