Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erjon Alibej tha sot në seancën për “Plumbin e Artë” se pas vrasjes së kushëririt të tij, kishte vendosur të hetonte vetë ngjarjen dhe të zbulonte ekzekutuesit.
Alibej tha se maskohej si shpërndarës picash dhe dilte në qytet. Ai ka treguar se çdo informacion që zbulonte ja ka vënë në dispozicion policisë dhe prokurorit.
Alibej ka theksuar se objektivi i tij ishte Talo Çela, për të cilin tha se “e kërkonte me çdo kush të gjallë ose të vdekur”.
PJESË NGA DËSHMIA:
Pasi më vranë djalin e dajës, në shtëpi më kanë ardhur dy makina duke brohoritur, madje dhe në sy të patrullës së policisë. Unë kam bërë verifikime vetë.
Dilja në qytet i maskuar si shpërndarës picash me motor, edhe pse kisha një pjesë të kamerave të qytetit, sepse gjithë qytetin, kamerat i kishte Suel Çela. Tek shtëpia e Emiljano Ramazanit identifikova dy automjete dhe më pas i verifikova me kamerat e sigurisë. Dua të them se kisha çdo informacion që më korrespondonte dhe ia vura në dispozicion policisë dhe prokurorit. Pas ngjarjes së Andi Zylyfit, unë vetëdorëzohem në polici bashkë me avokatin tim. Më pas dola në arrest shtëpie.
Unë kërkoja vetëm Talo Çelën me çdo kusht – të gjallë, të vdekur. Doja çdo informacion për të. Djali i dajës më tha: “Pashë Fatos Gosen pas meje me një BMW, rrugës për në Peqin.” Talo ishte kryesori për mua, sepse ai dinte çdo gjë për mua, rrugët i njihte mirë, etj. Unë doja që ai të kapej nga policia, sepse e di që do fliste.