Është arrestuar në Britaninë e Madhe Lorenc Lala një personazh i njohur i botës së krimit i shpallur në kërkim për vrasje. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, 48-vjeçari do të ekstradohet në Shqipëri.
‘Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan (dosje e kaluar pranë SPAK), e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë ‘Arrest në burg’-thuhet në njoftimin e policisë.
Lala akuzohet për disa vepra të rënda penale si ‘Vrasje për asye gjakmarrjeje’, ‘Sigurimi i mjeteve dhe kushteve për kryerjen e vrasjes’ dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’.
Sipas hetimeve, në fshatin Gjocaj, Peqin, në vitin 2021, u vra me armë zjarri shtetasi Albi Bashalliu, vrasje e kryer kundrejt 50 mijë eurove dhe pagesa sipas hetimeve është dhënë tek Laert Haxhiu nga Lorenc alias Kristian Lala.
Vrasja është rrëfyer dhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani i cili ka dëshmuar se e ka kryer me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun.
Lorenc Lala dyshohet të ketë qenë organizatori dhe financuesi i kësaj vrasjeje, si dhe personi që ka siguruar mjetet dhe kushtet për realizimin e saj.
Pas ngjarjes, ai ka ndihmuar në transportimin dhe largimin e autorëve nga vendi i krimit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Kapet dhe arrestohet në Mbretërinë e Bashkuar një shtetas shqiptar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i kërkuar për vrasje për arsye gjakmarrjeje.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, është arrestuar shtetasi shqiptar L. L., 48 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan (dosje e kaluar pranë SPAK), e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
“Vrasje për arsye gjakmarrjeje”,
“Sigurimi i mjeteve dhe kushteve për kryerjen e vrasjes”,
“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e veçantë të bashkëpunimit,
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Përmbledhje e ngjarjes:
Në fshatin Gjocaj, Peqin, në vitin 2021, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B.
Shtetasi L. L. dyshohet se ka pasur rolin e organizatorit dhe financuesit të kësaj vrasjeje, si dhe ka siguruar mjetet dhe kushtet për kryerjen e saj. Po ashtu, pas ngjarjes, ka ndihmuar në transportimin dhe largimin e autorëve nga vendngjarja.
Arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Ëanted”, që ka në fokus lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim për vepra të rënda penale.
Veprimet e mëtejshme procedurale për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë janë në proces, në bashkëpunim me autoritetet britanike.