Kandidati i PD Asllan Dogjani ka “shpërthyer” gjatë procesit të rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun e Tiranës, proces që vijon prej pesë ditësh. Shkak është bërë një votë, shënimi i së cilës ka devijuar nga kutia e emrit të tij. KAS e ka shpallur të pavlefshme votën, pasi sikurse ka sqaruar edhe më parë, do të llogaritet vota vetëm nëse shënimi bëhet brenda kutisë.
Ai “kërcënon” se do të shkojë në SPAK, teksa thotë se i kanë marrë shumë vota deri më tani me këtë pretendim. Më pas ai i drejtohet anëtarit të KAS, Ilir Rusmali duke i thënë se duhet t’i vijë turp, që i shpalli votën e pavlefshme. “Jo numërues demokrat të jetë, po vëllai im të jetë”, thotë ai.
“Nuk më rruhet fare për policinë. Është e paqartë vota. Më bën presion me policinë. Vidhni vota, hajduta! Nuk është hera e parë gjithë ato vota më keni vjedhur deri tani në të gjitha kutitë. Mos u tallni me votat e qytetarëve se keni ditë e natë që rrini këtu. Hajdeni dhe shihni se si e kanë shprehur vullnetin qytetarët. Më heq vota me të padrejtë. Ju më keni hequr vota nga 4-5 çdo sekondë. Nuk lini me futur edhe vëzhgues. Turp të keni, do të marr videot një për një dhe do t’i çoj në SPAK. Turp të kesh Ilir, turp.”, thotë Dogjani.
Më pas, ai vijon duke thënë se anëtarëve të KAS iu është prishur terezia se kanë dashur të shkojnë me pushime.
“Iu kemi prishur terezinë këtyre, kanë dashur të shkojnë me pushime Rusmali me disa të tjerë. Shihni në sistem sesa vota po marrin.”, thotë ai.