Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) zhvilloi sot një tjetër mbledhje të rëndësishme për qarkun e Durrësit, ku kërkesa për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit zgjedhor është shoqëruar edhe me pretendime të reja për manipulim votash.
Kandidati i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Aulon Kalaja, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, paraqiti prova të reja – pamje filmike të siguruara nga KQZ – që sipas tij vërtetojnë devijime të rezultatit. Kalaja pretendon se jo vetëm atij, por edhe 13 kandidatëve të tjerë, u janë hequr vota, ndërkohë që kandidatit të listës së hapur të PD-së, Arjan Ndoja, i janë shtuar vota artificialisht.
“Pamë qartë në pamjet filmike se për Ndojën rezultonin 31 vota në ekran, por në procesverbal ishin shënuar 37. Ky nuk është një rast i vetëm – kemi identifikuar lëvizje të tilla votash në 69 kuti deri tani. Për këtë arsye, kërkojmë hapjen e të gjitha kutive në qarkun e Durrësit”, theksoi përfaqësuesi i Kalasë.
Kandidati Kalaja theksoi se ka dyshime serioze se votat e tij janë shpallur të pavlefshme pa të drejtë, ndërsa votat e Ndojës janë shtuar në mënyrë të paligjshme. “Nuk e bëj këtë për karrige, por për të vendosur një precedent të qartë për transparencë. Ka shumë vota të hequra padrejtësisht dhe të tjera të shtuar padrejtësisht për një kandidat tjetër”, deklaroi Kalaja.
Në mbledhje, u krye edhe një verifikim “live” i disa pamjeve, ku u konstatua se për kandidatin Kalaja në një kuti votimi ishin shënuar vetëm 2 vota, ndërsa në pamje rezultonin 4. Ky verifikim u konfirmua edhe nga administrata e KQZ-së, me drejtuesen Pavlina Doçaj që theksoi: “Është e vërtetë – nga verifikimi pamor, në një rast janë evidentuar 4 vota, por në procesverbal janë shënuar 2”.
Pavarësisht këtyre gjetjeve, përfaqësuesja e PS-së, Elena Xhinaj, u shpreh se pretendimet e Kalasë nuk janë të mjaftueshme për të kërkuar pavlefshmëri rezultati dhe përsëritje zgjedhjesh. Ndërsa anëtari i KAS, Ilir Rusmali, kërkoi nga përfaqësuesit e Kalasë prova më konkrete që tregojnë se ky trend devijimi votash do të ndryshonte rezultatin përfundimtar.
KAS vendosi të pezullojë mbledhjen për të shqyrtuar provat e depozituara, ndërsa vetë Kalaja deklaroi gatishmërinë për të vënë në dispozicion të KAS të gjitha pamjet filmike të mbledhura nga qendrat e votimit, për të provuar, sipas tij, manipulimin masiv që ka ndodhur./Lexo.al