Shtyhet seanca e parë në Kolegjin Zgjedhor për ankimimin e kandidatit të PD në Kukës Shkëlqim Shehu lidhur me votat preferenciale. Shkak për këtë u bë mungesa e Shehut që bëri ankimimin.

Ndërkohë, u rrëzua ankimi i bërë nga Ilir Alimehmeti, kandidati më i dytë më i votuar në listën e PD në Tiranë, por që nuk arriti që të fitonte mandatin pasi u mund nga Jorida Tabaku.

Më 2 qershor, pasi KAS u rrëzoi kërkesat lidhur me pretendimet për votën preferenciale, tre kandidatët Shkëlqim Shehu, Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja iu drejtuan Kolegjit Zgjedhor. Komisioni i Ankesave u rrëzoi kërkesat me pretendimin se kandidatët mund t’i bëjnë ankimet vetëm përmes siglës së partisë.

Shehu humbi mandatin e listës së hapur përballë kolegut të tij, deputetit Isuf Çela pas numërimit të votave të diasporës. Shehu kryesonte numërimin brenda vendit dhe doli fitues, por diaspora përmbysi raportin. Alimehmeti doli i dyti më i votuari në listën e hapur të qarkut të Tiranës pas Jorida Tabakut. Edhe Aulon Kalaja ngriti pretendime për votat preferenciale, i cili paralelisht po vazhdon betejën edhe në KAS i ‘ndarë’ nga PD përmes Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Kujtojmë që KAS ka vendosur hapjen e të gjitha kutive të qarkut Tiranë dhe Fier, vendim që u mor nga dy anëtarët e PD në këtë organ, dhe pritet të numërohen votat si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatët. KAS ka vendosur gjithashtu, po me votë të anëtarëve të PD, që të hapen 257 kuti në qarkun e Durrësit. Ndërkohë që një ditë më parë, në KAS u hapën 42 kuti votimi, ku u shqyrtuan vetëm votat e kandidatëve të PD, pas pretendimit të Xhemal Gjunkshit se i kanë vjedhur votat brenda partisë.

Hapja e 42 kutive të qarkut të Dibrës tregoi se ka pasur trafikim votash mes kandidatëve të PD. Xhemal Gjunkshit i janë marrë 17 vota, të cilat u kanë shkuar kandidatëve të tjerë në listën e hapur të PD, Përparim Spahiut, i cili rezultoi kandidati më i votuar në listën e PD, i janë dhënë 49 vota tepër.

Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, pritet të nisë rinumërimi i votave për subjektet dhe preferenciale për qarkun e Tiranës, për të vijuar më pas me Fierin dhe me kutitë e Durrësit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka thënë se procesi pritet që të zgjasë deri në 20 ditë.

Gjunkshi i kërkoi KAS-it gjatë mbledhjes që ngushtimi i diferencës me 54 vota në këto kuti tregon se edhe në të tjerat mund të ketë prova shtesë që çojnë në ndryshimin e rezultatit të tabelave, përveçse përgjegjësisë penale të komisionerëve. Por kërkesa e tij për hapjen e kutive të tjera, u rrëzua.