Ata thonë se është gjallë. Se po ndjek të gjitha zhvillimet e luftës nga një vendndodhje sekrete. Dhe se është ai që ende merr të gjitha vendimet. Është e vështirë të dihet se në cilin qytet ndodhet Ali Khamenei. Nga Teherani thonë se Ajatollahu mund të jetë në Mashhad, ku ka lindur.

“Ata e kanë transferuar atje bashkë me evakuimin e zyrtarëve amerikanë nga ambasadat e Irakut, Bahreinit dhe Kuvajtit”, – thotë një burim iranian.

Mbështetësit e tij megjithatë janë të sigurt se Udhëheqësi Suprem, si një udhëheqës i vërtetë, ka qëndruar në kryeqytet, pranë popullit të tij të bombarduar nga avionët izraelitë.

Ka një lloj ankthi për shkak të rrethimit të udhëheqësit që ka drejtuar dhe ka shtypur Iranin për 36 vjet. Vrasja e komandantëve të tij, njoftimet e Benjamin Netanyahut dhe deklaratat e zyrtarëve izraelitë, të bëjnë të mendosh se një nga objektivat përfundimtarë të këtij konflikti të ri është pikërisht eliminimi i tij.

Që nga vdekja e Hassan Nasrallah, udhëheqësit të Hezbollahut libanez, masat e sigurisë rreth Ajatollahut janë forcuar ndjeshëm. Mbrojtja e Khameneit i është besuar një aparati të menaxhuar kryesisht nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRCG), përmes njësisë së saj speciale, “Trupave të Mbrojtjes Vali Amr”.

“Askush nuk i beson më askujt”, – thotë burimi, “është e qartë se Mossadi është i rrënjosur mirë edhe rreth ndjekësve të tij më besnikë”. Për të mbrojtur klerikun 86-vjeçar, regjimi ka investuar gjithashtu në teknologji të përparuara: kamera termike, skanerë, kontrolle rigoroze në hyrje të aktiviteteve publike dhe private. Çdo paraqitje e tij publike ose udhëtim paraprihet nga një punë përgatitore e kujdesshme.

Khamnei nuk ka shkelur jashtë Iranit që nga viti 1989, viti në të cilin ai u kurorëzua si udhëheqës i madh.

“Ishte një surprizë” – kur ai u bë Udhëheqës Suprem më 6 gusht 1989, pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, tha për “Corriere”, Gary Sick, i cili ishte kryenegociatori i Shtëpisë së Bardhë gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979.

“Ai ishte një zyrtar i lartë në Këshillin e Komandës Revolucionare, qeverinë revolucionare të Iranit, dhe kishte mbajtur një numër pozicionesh kyçe, përfshirë zëvendësministrin e mbrojtjes, por ai kurrë nuk ishte konsideruar si një nga revolucionarët e vërtetë ose një nga udhëheqësit. Ai ishte një klerik, por shumë klerikë të rangut të lartë nuk e konsideronin të kualifikuar për presidencën ose për të zëvendësuar Khomeinin”, – tha Sick, i cili tani është 90 vjeç, 4 vjet më i vjetër se udhëheqësi aktual iranian. Krahu i djathtë i Ajatollahut është pjesërisht i paralizuar pas një atentati në vitin 1981, ndërsa i mbijetoi edhe kancerit në vitin 2014.

Megjithatë, Khamenei shërbeu dy mandate në detyrë, duke filluar nga viti 1981, dhe në vitin 1989 u bë Udhëheqës Suprem me një ndryshim në kushtetutë. “Ata menjëherë e quajtën atë Ajatollah, edhe pse ai nuk ishte fare Ajatollah”. Ai ishte një hojatolleslam, një klerik i rangut më të ulët (kritikët e kanë tallur atë gjatë viteve me nofkën “Shish Kelaseh”, që do të thotë me “6 vjet shkollë”).

Thelbësore për ngritjen e tij ishte mbështetja e Hashemi Rafsanjani, i cili në vitin 1989 ishte kreu i Parlamentit. Ai tregoi një letër ku deklaronte se ai shprehte vullnetin e të ndjerit Khomeini që Khamenei të ishte pasardhësi i tij. Rafsanjani mendoi ta përdorte Khamenein për të mbajtur pushtetin real (ai ishte president deri në vitin 1997), por marrëdhënia mes tyre u përkeqësua. Khamenei dhe aleatët e tij gradualisht e anashakaluan atë duke e etiketuar si “kapitalist” dhe “mbështetës të Islamit Amerikan“. Khamenei arriti të ruante pushtetin dhe “flakëzën” e revolucionit islamik, pavarësisht se nuk kishte karizmën e Khomeinit, falë aleancës me konservatorët dhe Pasdaranin, “Gardën Revolucionare”.

“Kur ai u bë udhëheqës në vitin 1989, ai i hapi derën Pasdaranit në fushat ekonomike dhe politike, veçanërisht për t’iu kundërvënë lëvizjes reformiste”, – tregon Mohsen Sazegara, i cili në moshën 24 vjeç u kthye në Teheran nga mërgimi me Ajatollah Khomeinin dhe themeloi këtë milici për të që i përgjigjet drejtpërdrejt Udhëheqësit Suprem. Sazegara, i cili jeton në Amerikë që nga viti 2003, u bë reformist dhe u përplas me Khamenein dhe përfundoi në burg. Që atëherë, Udhëheqësi dhe Pasdarani kanë mbështetur njëri-tjetrin.

“Në këtë rrugë Khamenei e ka transformuar Iranin në llojin e diktaturës që vetëm Shahu mund ta kishte ëndërruar”, – thotë Sick.

Udhëheqësi aktual Suprem është një figurë komplekse, sipas Mehdi Khalaji, një teolog që ka studiuar në Qom dhe më pas ka shkuar në Amerikë. “Si i ri, ai vishte rroba të rastësishme, fliste për dashurinë e tij për letërsinë dhe kompozonte poezi. Si udhëheqës ai ka treguar atë që e quajti “fleksibilitet heroik”, për shembull duke pranuar marrëveshjen bërthamore me Perëndimin në vitin 2015, në një kohë kur ai pa një rrezik për kohezionin shoqëror. Ai ka lejuar ngritjen e udhëheqësve relativisht të moderuar si Khatami ose Rouhani, kur mendonte se ata mund të forconin stabilitetin kombëtar.”

I njohur për një jetë të matur dhe asketike, ai e urren luksin. Ata thonë se ai refuzon dhuratat e çmuara, ose i shet ato, duke dhuruar të ardhurat për ata që kanë më shumë nevojë. Ideologjikisht, Khamenei e paraqet veten si mbrojtës të vlerave të revolucionit islamik të vitit 1979 për drejtësi sociale, pavarësi kombëtare dhe qeverisje islamike. Por modeli i tij është qartësisht autoritar dhe represiv, që synon të sigurojë mbijetesën e regjimit dhe ruajtjen e pushtetit personal.

Ajatollahët burgosin, torturojnë dhe vrasin çdo formë disidence, siç e kemi parë me përpjekjet për revolucion gjatë 20 viteve të fundit. Nga viti 2009, me “Lëvizjen e Gjelbër”, deri në vitin 2023, me “Gruaja, Jeta, Liria”, ku mbi 20 mijë njerëz janë burgosur dhe 500 janë vrarë. Revolucioni islamik u zhvillua para së gjithash brenda Islamit, duke përthithur vlerat e protestave të të rinjve të viteve 1960 dhe 1970, duke sulmuar klerin tradicional shiit të frikësuar nga çdo përfshirje në luftërat politike dhe duke i ftuar iranianët të rebeloheshin, edhe nëse kjo më pas i çoi ata t’i nënshtroheshin autoritetit të “burimeve të emulimit” shiit – siç vëren Alberto Zanconato në biografinë e tij të Khomeinit. Ata pretendojnë se shoqëria duhet të udhëhiqet nga një jurist islamik, sipas doktrinës së “velayat-e-faqih”.

I vendosur për të mbrojtur mbijetesën e Republikës Islamike, Khamenei u përplas gjatë viteve me figura të tjera brenda të njëjtit regjim të cilët besonin se reformat ishin të nevojshme për atë mbijetesë. Ajatollah Hossein Ali Montazeri në arresti shtëpiak e ka akuzuar Udhëheqësin Suprem për kryerjen e “mëkateve të rënda, duke përdorur forcën kundër të pafajshmëve” dhe duke mohuar paanshmërinë dhe drejtësinë e nevojshme për ata që qeverisin si interpretues të vullnetit hyjnor.

Nëse qëllimet e Netanyahut përfshijnë eliminimin e Udhëheqësit Suprem, bëhet e rëndësishme të përpiqemi të imagjinojmë se cilat janë skenarët pas-Khameinit. Vrasja e tij do të hapte skenarë të kundërt dhe do të kishte pasoja shpërthyese përtej fushëbetejës. Kushtetuta parashikon aktivizimin e një procesi për të zgjedhur një klerik tjetër në vend të tij përmes Asamblesë së Ekspertëve.

Emri i djalit të preferuar Mojtaba, si paraardhës ka qarkulluar për vite me radhë. I preferuari midis 6 fëmijëve të tij (i akuzuar gjithashtu nga kritikët për mbajtje të pasurisë jashtë vendit) mund t’i japë dritën jeshile një monarkie të trashëgueshme. Edhe pse këshilltar i ngushtë i babait të tij ai nuk respektohet gjerësisht. Ai nuk është zgjedhur kurrë, ka kualifikime fetare, por nuk është një ajatollah.

Ekziston mundësia që vakumi i pushtetit të jetë aq destabilizues saqë të tjerë do të dalin përpara. Irani rrezikon të bjerë në konflikte të brendshme që do të përhapnin kaos në rajon, duke pasur parasysh ndikimin e tij në Irak, Liban, Siri dhe Jemen, ku ka mbështetur milicitë për dekada të tëra. Një grusht shteti ushtarak ose luftë civile nuk mund të përjashtohet. Reformistët mund të përpiqen të marrin pushtetin duke kërkuar mbështetje nga Perëndimi, ose një udhëheqës nga diaspora, si Reza Pahlavi, mund të rikthehet.