Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andri Sibiga, deklaroi se sulmi masiv i fundit i ushtrisë ruse gjatë natës së kaluar, në të cilin u përdorën mbi 500 dronë dhe raketa të llojeve të ndryshme, tregon nevojën urgjente për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
“Sulmi i fundit rus përfshiu afro 500 dronë dhe raketa. Niveli në rritje i terrorit tregon se ka nevojë urgjente për masa të reja ndëshkuese. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për këto sanksione, jo vetëm për të ndihmuar Ukrainën, por edhe për sigurinë e tyre,” shkroi Sibiga në rrjetin social X.
Ai shtoi se “ndalimi i furnizimeve që ushqejnë makinën terroriste ruse është tani një çështje sigurie transatlantike.”
Apeli i Sibigës vjen pas reagimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi rritje të presionit ndërkombëtar ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
“Putin ka vendosur prej kohësh të vazhdojë luftën, pavarësisht thirrjeve për paqe nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo luftë duhet të marrë fund duhet të ushtrohet presion mbi agresorin,” deklaroi Zelensky.
Sipas të dhënave të Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë këtij sulmi Rusia ka lëshuar gjithsej 537 mjete luftarake, përfshirë 477 dronë të prodhimit iranian të tipit “Shahed”, 46 raketa balistike, 11 raketa lundrimi dhe tre raketa kundërajrore.
Sulmi shkaktoi vdekjen e një piloti ukrainas që pilotonte avionin luftarak F-16 gjatë një misioni mbrojtës, si dhe la të plagosur nëntë persona të tjerë në disa qytete të vendit, duke shkaktuar edhe dëme të shumta materiale.