Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e fundit Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit, ku dhe u miratua projektligjii “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025-2030″. Kryetari i Komisionit, Erion Braçe gjatë fjalës së tij u shpreh se dezinformimi, shpërndarja e qëllimshme e informacioneve të rreme apo manipuluese është shndërruar në një sfidë urgjente për demokracinë anë e mbanë botës.

Më Braçe përmendi si shembull ndikimit të lajmeve të rreme gjatë pandemisë COVID-19 dhe konflikteve të armatosura, si lufta në Ukrainë. Më tej kryetari i Komisionit theksoi se partnerë strategjikë të Shqipërisë si SHBA-të dhe vende kryesore të BE-së kanë mbështetur projekte për forcimin e rezistencës ndaj dezinformimit. Braçe shtoi se, produkt i punës së këtij komisioni është hartimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025-2030.

“Në diskursin ndërkombëtar të sigurisë ky fenomen trajtohet shpesh nën termin “manipulim dhe ndërhyrje e huaj e informacionit”, i cili i referohet taktikave keqdashëse të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë për të ndikuar dhe cenuar shoqërinë demokratike. Përhapja globale e teknologjisë digjitale dhe rrjeteve sociale e ka amplifikuar shumë shtrirjen në fushat e dezinformimit, duke i lejuar aktorët keqdashës të operojnë përtej kufijve shtetërorë të maskuar pas identiteteve të rreme dhe teknikave komplekse të propagandës.

Si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE, Shqipëria njëkohësisht është vetë objektiv i këtyre kërcënimeve, ka interes jetik t’i harmonizojë politikat e saj me ato euroatlantike. Strategjia e sigurisë kombëtare e Shqipërisë e vitit 2022 tashmë ka evidentuar se kërcënime moderne si dezinformimi nuk mund të përballen vetëm më mjete ushtarake, por kërkojnë qasje gjithëpërfshirëse diplomatike ligjore, shoqërore.

Në cilësinë e një vendi partner, Shqipëria synon të intensifikojë bashkëpunimin me NATO-në dhe BE-në për adresimin e rreziqeve hibride. Kjo nënkupton shkëmbimin e informacionit, ndarjen e praktikave më të mira dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj fushatave keqdashëse informative në nivel rajonal dhe global. Në prill 2024 Kuvendi ngriti Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit””, tha Braçe.