Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.
Sikur edhe në vazhdimet e kaluara të seancës konstituive – e cila nisi më 15 prill – deputetët u mblodhën shkurtimisht të premten dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit.
Kjo ishte hera e 31-të që ata mblidhen dhe dështojnë, dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të dielën e 15 qershorit.
Dështimi ndodhi një ditë pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e shpalosi një agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë atë si mënyrë për të dalë nga kriza politike.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.