Pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për të rinumëruar të gjitha kutitë e votimit të qarkut Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për këtë proces të ngarkuar teknikisht dhe logjistikisht. Burime pranë institucionit bëjnë të ditur se do të nevojiten të paktën 10 ditë për të vendosur infrastrukturën e duhur dhe për të rekrutuar stafin e nevojshëm për rinumërimin.
Në total, do të hapen 1,282 kuti nga Tirana dhe 44 kuti nga Dibra, ndërsa si vend potencial për zhvillimin e procesit po shqyrtohet sërish Parku Olimpik, ku më herët është zhvilluar edhe numërimi i votave të diasporës.
Rinumërimi i votave në Tiranë përfshin rreth 450 mijë fletë votimi dhe do të kryhet në dy faza – fillimisht për subjektet politike dhe më pas për kandidatët individualë. Për këtë proces do të angazhohen dhjetëra punonjës dhe vëzhgues, ndërsa KQZ pritet të sigurojë pajisjet teknologjike dhe infrastrukturore si energji elektrike, rrjet kompjuterik, kamera sigurie, monitorë, tavolina dhe karrige për transparencë maksimale.
Një grup i dedikuar do të kujdeset për transportimin dhe organizimin e kutive sipas një rendi të përcaktuar, për të garantuar integritetin e procesit.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë kostoja financiare që do të ketë rinumërimi, i cili përfaqëson rreth një të tretën e votave në shkallë vendi. Nisja e procesit pas 10 ditësh, e ndjekur nga rinumërimi dhe mundësia e ankimimeve në Kolegj Zgjedhor, pritet të vonojë shpalljen përfundimtare të rezultatit deri në muajt e verës.
Vendimi për rinumërimin nuk u mbështet unanimisht nga të gjithë anëtarët e KAS. Ai u votua nga dy përfaqësues të opozitës, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, të cilët argumentojnë se procesi mund të sjellë ndryshime në shpërndarjen e mandateve. Partia Demokratike shpreson që përmes rinumërimit të arrijë të sigurojë mandatin e 14-të në Tiranë, potencialisht në dëm të kandidatëve të koalicionit të qendrës së djathtë. Kandidati Ilir Alimehmeti ka shprehur publikisht dyshimet se votat e tij mund të jenë manipuluar, ndërsa pretendon se ka marrë më shumë vota sesa Jorida Tabaku, e cila aktualisht ka fituar një mandat me 2400 vota diferencë.