Në Konferencën Kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit”, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Prof. Dr. Sokol Sadushi, ngriti shqetësimin për rënien e sistemit të drejtësisë në një “rehati konformiste”. Ai shpjegoi se konformizmi manifestohet në forma të ndryshme: në hezitimin për të marrë vendime që mund të prishin qetësinë institucionale; në dëshirën për të mos u ekspozuar nën frikën e përballjes me kritikë apo me ndëshkime karriere; dhe në pranimin pasiv të sjelljeve jo etike të kolegëve me arsyetime si “kjo nuk është puna ime” apo “nuk ke se ç’bën”, madje duke i konsideruar si “çështje që nuk më takon mua”, megjithëse kjo sjellje ngarkon me peshë të gjithë sistemin.

Sadushi theksoi se reforma në drejtësi ka sjellë transformime pozitive, por aktualisht sfida më e madhe është mungesa e guximit moral dhe vonesat në marrjen e vendimeve, që po minojnë besimin te drejtësia. Sipas tij, presionet në sistem nuk shfaqen vetëm në formën klasike të ndërhyrjeve, por përmes heshtjes, mosveprimit dhe frikës për të vepruar ndryshe. “Drejtësia që nuk vepron në kohë është po aq e rrezikshme sa ajo që ndikohet drejtpërdrejt”, u shpreh ai. Sadushi apeloi për më shumë guxim, vetëdije dhe integritet nga magjistratët, duke theksuar se këto cilësi janë thelbësore për garantimin e drejtësisë si shërbim publik që ruan legjitimitetin përballë qytetarëve.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar magjistratë dhe të ftuar,

E ndjej si një detyrim profesional dhe moral që, në këtë panel ku tema është llogaridhënia, guximi moral dhe respektimi i sundimit të ligjit, të flas hapur dhe të mos jem konformist. Jo për të rënë në një vetëkënaqësi institucionale, por për të ndarë me ju disa të vërteta që, edhe pse i kam shprehur më parë, mbeten aktuale dhe kërkojnë të ritheksohen.

Sistemi ynë i drejtësisë po kalon prej vitesh një transformim të thellë. Shqipëria po hyn gradualisht në vitin e dhjetë të përpjekjes për të ndërtuar besimin tek drejtësia. Pavarësisht arritjeve të shumta dhe të prekshme, sistemi i drejtësisë po ndeshet me problematika serioze. Ai po përjeton krizën e efiçencës dhe të efektivitetit në gjykim, të shkaktuar nga mbingarkesa dhe vonesat në dhënien e drejtësisë. E shohim çdo ditë se si çështje jetike për individë, shtresa vulnerabël, biznese apo komunitete të ndryshme zvarriten për vite me radhë. Pafuqia për të vendosur shpejt dhe me profesionalizëm po i shndërron organet brenda sistemit në struktura me ndikim të kufizuar. Dhe këtë nuk na e thonë vetëm raportet ndërkombëtare. Madje më qartë na e thotë qytetari, qoftë edhe me heshtjen e tij.

Nga pozicioni i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, vërej një rrezik të heshtur që po shfaqet në organet e sistemit të drejtësisë: rënia në rehati konformiste. Ndoshta nuk konstatohen shkelje flagrante të ligjit, por ka më shumë heshtje, mosveprim në kohë dhe pasivitet. Nuk shfaqen haptazi ndikime të drejtpërdrejta në sistem, por duket se ato janë zëvendësuar me presione të heshtura, të rafinuara, por njëlloj të dëmshme. Nuk është fjala për vendime të padrejta, por për vendime që nuk merren në kohën e duhur. Dhe ky është, ndoshta, rreziku më i madh i kohëve tona: një drejtësia që nuk vepron në kohë; një drejtësi që pret.

Reforma në drejtësi ka sjellë transformimin pozitiv të sistemit duke prodhuar edhe një shtysë të domosdoshme për ndryshim dhe për edukim. Megjithatë, sot jemi në një realitet ku ndershmëria shpesh shoqërohet me frikë, ku integriteti ndonjëherë mbetet i izoluar, ndërsa konformizmi gjen terren më të lehtë se guximi për të vepruar ndryshe. Prandaj, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një vetëdije kolektive për drejtësinë, si themel i shtetit dhe i shoqërisë.

Është folur gjatë për ndërtimin e institucioneve të reja, për vetingun, për pavarësinë nga politika, por më pak flitet për sprovën më të vështirë me të cilën përballet çdo magjistrat: sprovën e ndërgjegjes. Pikërisht këtu lind nevoja për të reflektuar mbi integritetin gjyqësor përballë tundimit të konformizmit dhe për guximin moral për të qëndruar në anën e drejtë, atëherë kur kjo është më e vështirë.

Korniza ligjore parashikon mekanizma për të luftuar korrupsionin, për të shmangur mungesën e përgjegjshmërisë apo mangësitë profesionale, por nuk parashikon mekanizëm për ta mbrojtur magjistratin nga tundimi i konformizmit.

Për gjyqësorin modern konformizmi përfaqëson një prej sfidave më delikate. Ai paraqet një tension të përhershëm midis përmbushjes së rolit formalist të gjyqtarit dhe nevojës për kurajo morale e pavarësi profesionale.

Rreziku që iu kanoset sot magjistratëve nuk vjen doemos nga pushtetet e tjera, por nga faktorë të tjerë të rrezikshëm, ndoshta edhe për shkak të faktit se janë të padukshëm, të heshtur, por të vendosur për të arritur synimet e tyre. Në këtë realitet, konformizmi përpiqet të fitojë terren. Ai është më pak i zhurmshëm se korrupsioni, por po aq i rrezikshëm sa ai.

Konformizmi manifestohet në forma të ndryshme:

  • Në hezitimin për të marrë vendime që mund të prishin qetësinë institucionale;
  • Në dëshirën për të mos u ekspozuar nën frikën e përballjes me kritikë apo me ndëshkime karriere;
  • Në pranimin pasiv të sjelljeve jo etike të kolegëve me arsyetime si: “kjo nuk është puna ime”, “nuk ke se ç’bën”, apo më keq, duke e konsideruar si “çështje që nuk më takon mua”, megjithëse një sjellje a veprim i tillë ngarkon me peshë të gjithë sistemin.

Këto janë shenja të një sistemi ku mungon guximi, dhe që pa e kuptuar minojnë së brendshmi pavarësinë institucionale dhe individuale të magjistratit. Konformizmi të bën të heshtësh, të shmangesh, të mosveprosh, megjithëse e drejta shkelet. Ai krijon një sistem ku edhe magjistrati i ndershëm, ndonjëherë, zgjedh të mos jetë i guximshëm. Prirja për të mos prishur status quo-në, apo për të ndjekur mendimin e shumicës, thjesht sepse është më e rehatshme, por jo e drejtë, është një nga dukuritë negative të sistemit.

Është e lehtë të themi se duam drejtësi të pavarur. Por si përkthehet kjo në praktikë? A kemi magjistratë që guxojnë të mbrojnë të drejtën, edhe kur ajo sfidon interesat politike, ekonomike apo rrjedhën e zakonshme të rasteve? A kemi magjistratë që veprojnë pa frikë, pa u tunduar nga opinioni publik, nga titujt e portaleve apo nga mënyra e reagimit të strukturave më të larta shtetërore? Sigurisht që kemi, por a mund të themi se ata dominojnë? Këto janë pyetje që duhet t’i bëjmë vetes.

Ndoshta përgjithësimet nuk vlejnë, por është fakt se drejtësia përballet me presione konstante, politike, ekonomike dhe në raste jo të pakta, edhe kriminale. Presioni nuk vjen domosdoshmërisht me kërcënim. Ai shfaqet me oferta, me afrimitet, me rehati institucionale, ose, më rrezikshëm, përmes ndjesisë së dorëzimit, me shprehje të tilla se “kjo nuk është puna ime”, “nuk ia vlen”“kjo punë nuk bëhet”, etj, etj.

Ne nuk mund ta mohojmë se presioni është real, por kjo nuk duhet të na paralizojë. Nëse dorëzohemi, kemi humbur jo vetëm funksionin, por edhe legjitimitetin për ta ushtruar atë. Dhe pikërisht këtu lind nevoja për integritetin jo si virtyt abstrakt, por si akt rebelimi ndaj indiferencës dhe konformizmit.

Integriteti nuk është vetëm mospërfshirje në korrupsion. Është koherencë mes ligjit dhe ndërgjegjes. Magjistrati me integritet është ai që zgjedh të mos e shkel ligjin, por ta zbatojë atë; ai që përballë një opinioni të zhurmshëm publik, qëndron i palëkundur në bindjen se drejtësia nuk është çështje shumice, por çështje dinjiteti personal dhe institucional.

Legjitimiteti i magjistratit buron nga pranimi prej shoqërisë i pushtetit që ai ushtron. Ideja e pranimit të vendimit të magjistratit mbështetet tek besimi. Qytetari, në shumicën e rasteve  nuk mund të analizojë nëse vendimi është drejtësisht i argumentuar, por ai duhet të besojë se vendimi është marrë në mënyrë të ndershme. Pikërisht vendimmarrja është pasqyrë e vlerave të sistemit që duhet të pasqyrojë ndershmëri intelektuale dhe guxim për të shpjeguar jo vetëm “çfarë thotë ligji?”, por “pse e zbatojmë në këtë mënyrë?”.

Në shumë raste, vendimet janë të rregullta nga pikëpamja formale, por nuk duhet të jenë të ngurta dhe të mbyllura ndaj realitetit shoqëror, sepse ndarja mes vendimit dhe realitetit dëmton besimin. Duhet të kemi vendime që flasin jo vetëm me normën ligjore, por edhe me racionalitetin dhe me ndjeshmërinë për drejtësi. Kjo është arsyeja pse integriteti i gjyqtarit luan rol thelbësor për të ruajtur besimin publik në drejtësi dhe përse merr rendësi në ndërveprimin dinamik ndërmjet gjyqtarit dhe shoqërisë.

Të jesh me integritet do të thotë të mos jesh i pandjeshëm ndaj efektit që çdo vendim ka në publik. Në çdo sallë gjyqi, në çdo akt hetimor që kryen, në çdo vendim që merr, magjistrati përcjell një mesazh për qytetarin dhe për vetë sistemin. Dhe ky mesazh ose ndërton besim, ose e rrënon atë.

Kjo duhet parë si një mënyrë llogaridhënie, e cila nuk është thjeshtë një procedurë, por  përgjegjësi ndaj shoqërisë. Llogaridhënia fillon aty ku gjyqtari pyet veten, jo vetëm “a po zbatoj ligjin?”, por “a po jap drejtësi?”. Dhe nuk ka llogaridhënie pa vetëdije. Nuk ka vetëdije pa guxim. Dhe nuk ka guxim pa një sistem që e mbron dhe ushqen integritetin, jo vetëm në ceremoni të tilla si kjo, por në jetën e përditshme institucionale.

Prandaj drejtësia nuk mund të qëndrojë mbi një ligj të ftohtë apo mbi një sistem formal kompetencash. Ajo qëndron mbi karakterin e magjistratit, mbi guximin për të thënë të vërtetën, mbi përkushtimin për të mos heshtur kur ligji përdhoset, mbi aftësinë për të dhënë drejtësi edhe kur askush nuk na shikon, edhe kur tundimi për të mos reaguar është i fortë.

Ne duhet të shohim në rradhë të parë nga vetja. Shpesh ndodh që për çdo problem që lind në sistem, zgjidhja kërkohet te ndryshimi i ligjeve. Realisht, ajo që kemi më shumë nevojë sot nuk është tendenca ekstreme për sa më shumë ligje, por nevoja për më shumë karakter, jo më shumë institucione që nuk ndërveprojnë, por më shumë besueshmëri, e cila vjen vetëm nga mënyra se si veprojmë dhe nga vendimet që marrim.

Prandaj, rëndësi të veçantë merr personaliteti i magjistratit, përgatitja akademike, aftësia në komunikim, hobet që tregojnë përfshirjen sociale, temperamenti që shfaq në ruajtjen e qetësisë dhe përqendrimit të nevojshëm në marrjen e vendimeve të drejta, dhe mbi të gjitha, cilësia për të mos u pajtuar me sjellje të padrejta dhe për të qenë i pakompromis përballë normave që shkelen.

Për t’u theksuar, integriteti nuk është thjesht atribut i mbajtësit të funksionit, por karakteristikë thelbësore e vetë funksionit. Kjo është arsyeja pse besimi publik i drejtohet jo vetëm individit, por funksionit të tij si gjyqtar a prokuror. Dhe qëllimi është i njëjtë: të garantohet një drejtësi që është e drejtë, jo vetëm formalisht, por që perceptohet si e tillë nga qytetari. Vetëm kështu integriteti nuk do të jetë një ideal i shkëputur nga realiteti, por një ushtrim konkret i përditshëm, që e mban gjallë besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. Dhe vetëm atëherë magjistrati nuk do të jetë thjesht zbatues i ligjit në mënyrë të verbër, por garant i vlerave që bëjnë drejtësinë legjitime, njerëzore dhe të qëndrueshme dhe që kërkon guxim, integritet, ndërgjegje të pastër e qëndrim të palëkundur përballë presioneve të çfarëdolloj. Këtë duhet ta tregojmë me vendimmarrje të qëndrueshme, profesionale e të guximshme.

Këto fjalë nuk kanë për qëllim moralizimin, por nevojën e madhe për të ndërtuar të gjithë së bashku autoritetin e funksionit të magjistratit mbi karakterin e fortë moral e profesional që duhet treguar. Nëse e bëjmë këtë, çdo vendim që do të marrim, pavarësisht se njëra palë do të jetë e humbur, do të mirëpritet. Misioni ynë nuk është të kënaqim të gjithë, qoftë palët në proces, qoftë kolegët tanë apo çdo person tjetër të interesuar. Nga Ne pritet të shfaqim të njëjtën ndjenjë drejtësie ndaj çdokujt, në çdo situate. Vetëm kështu mund të arrijmë të realizojmë zbatimin e drejtë të ligjit dhe dhënien e drejtësisë.

Detyra jonë është të mos heshtim kur drejtësia vonohet, të mos shmangemi kur e drejta kërkon zë, të mos e fshehim mungesën e guximit pas procedurave, të mos lejojmë që ndershmëria të mbetet e izoluar dhe të mos heshtim përballë konformizmit. Dhe më e rëndësishmja: të ndërtojmë një kulturë të re brenda sistemit, kulturën e guximit, të refuzimit të praktikave të gabuara, të denoncimit të presioneve, të përballjes me interesat që përpiqen të devijojnë rrjedhën e ligjshme të proceseve. Nëse Ne nuk guxojmë ta përmbushim këtë mision brenda sistemit, nuk mund të presim besim nga jashtë.

Vetëm kështu, integriteti nuk do të mbetet një fjalë e bukur në një konferencë – por do të bëhet shtylla e një drejtësie që nuk heshtë dhe nuk dorëzohet.

Ju falënderoj për vëmendjen!