Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë fjalës së tij në Forumin Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor u shpreh se sistemet e drejtësisë shqiptare janë në rrugën e duhur të harmonizimit me standardet e Bashkimit Europian.

Ai më tej theksoi se ky takim do të vlejë pozitivisht duke përcaktuar qartë trajektoren që duan të përshkrojnë në vijimin e bashkëpunimit rajonal. Sipas Çelës falë këtij projekti kanë parë përmirësime konkrete në funksion të bashkëpunimit rajonal, teksa theksoi se kjo ishte krejt e paimagjinueshme disa vite më parë.

Prokurori i Përgjithshëm e vuri theksin ndër të tjera te sfidat me krimet në fushën kibernetike dhe përdorimi i teknologjisë si dhe i kriptomonedhave në veprimtari kriminale, të cilat sipas tij kërkojnë përgjigje efikase.

“Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të punohet”, theksoi Çela.

Ai shtoi se ditën e sotme do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi.

“Është shenjë e një angazhimi serioz dhe afatgjatë që ndërsa do të krijojë dinamika të reja në bashkëpunimin dypalësh do japë efekte pozitive në drejtim të konsolidimit të veprimit të koordinuar në planin rajonal”, tha ai.