Që katër muaj Kosova është në një krizë të thellë politike. Liderët e partive politike kurrëqysh nuk po mund të bëhen bashkë për të gjetur një zgjidhje e cila do ta shpëtonte vendin nga humbjet e mëdha, si në raport me ndërkombëtarët, por edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Për zhvillimet e fundit në vend e për parlajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump në një intervistë për Periskopin ka folur gazetari i njohur, Mero Baze.

Baze ka vlerësuar se kjo situatë i konvenon më së shumti qeverisë Kurti në detyrë, sepse sipas tij Kurti nuk po dëshiron që ta dorëzoj pushtetin.

Ndërsa për paralajmërimet e Trump, njohësi i proceseve të Kosovës thotë se presidenti amerikan nuk ka vëmendje të veçantë për konfliktin Kosovë–Serbi.

Intervisten e plotë me Mero Bazen e gjeni më poshtë:

Periskopi: Janë bërë më shumë se katër muaj që nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe deri më tani kemi 33 seanca të dështuara. Si e komentoni këtë bllokadë institucionale?

Mero Baze: E parë me syrin e një shteti të ri, që është në provë për t’u bërë shtet funksional dhe i pranuar ndërkombëtarisht, kjo është një dështim i qartë i kapacitetit shtetformues dhe i kulturës demokratike për ndërrimin e pushtetit. Në thelb, kemi të bëjmë me një vendim për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për të injoruar vullnetin e popullit. Kjo është forma më e butë e shtetit autoritar.

Politikisht, kemi të bëjmë me një përpjekje tinzare për të prodhuar një krizë artificiale, me shpresën se vetëm në krizë mund të mbijetosh.

Nga pikëpamja elektorale, e vetmja gjë e qartë është se Albin Kurti do të shkojë në zgjedhjet lokale si kryeministër në detyrë, sepse çdo zhbllokim i situatës aktuale do ta rrëzonte atë nga detyra. Në një farë mënyre, qeveria ka marrë peng shtetin dhe Kushtetutën, vetëm për të mos e dorëzuar pushtetin.

Periskopi: Ish-partitë opozitare nuk po e votojnë kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiu, duke thënë se nuk është person unifikues. A mendoni se vetëm emri i saj është pengesë, apo nuk ekzistojnë fare votat për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe më pas qeverinë?

Mero Baze: Nuk e njoh personalisht Albulena Haxhiun dhe nuk do t’i përgjigjesha kësaj pyetje para se të niste votimi. Por një zonjë që pranon të keqpërdoret 33 herë radhazi dhe nuk ndjen asnjë përgjegjësi për pasojat që i shkakton Kosovës, nuk meriton të jetë as pastruese në zyrat e Kuvendit, jo më kryetare e tij. Mungesa e personalitetit është një nga sëmundjet më të rrezikshme në demokraci, sepse është shtegu i autoritarizmit. Dhe zonja Haxhiu ka dëshmuar 33 herë që nuk i vjen turp që po keqpërdoret për një krizë politike. Kjo tregon shumë për mënyrën si Albin Kurti ka zgjedhur ta mbajë peng Kosovën.

Periskopi: LDK ka propozuar një “Qeveri të Unitetit Kombëtar” si zgjidhje për krizën. A është kjo një rrugë reale për zhbllokim të situatës?

Mero Baze: Në rrethanat aktuale, kur Kosova po përjeton një humbje graduale të aleatëve dhe interesit ndërkombëtar, një qeveri e unitetit kombëtar me konsensus të gjerë deri në zgjedhje të reja do të ishte një zgjidhje e arsyeshme dhe nuk duhet injoruar. Por një propozim i tillë nuk mund të hidhet në publik nga një parti e vetme, sepse pastaj kthehet në pretekst për të mos u marrë seriozisht.

Opozita duhet të paraqitet e bashkuar dhe të flasë me një zë. Propozime të tilla duhet të dalin nga një tryezë e përbashkët e partive opozitare, jo nga konferenca për shtyp e një partie që nuk ka asnjë fuqi të vetme për të vendosur asgjë. Të dalësh vetëm, e zbeh peshën e opozitës – e cila vlen vetëm kur është e bashkuar. Nëse nuk qëndron e bashkuar, atëherë legjitimiteti është me Albin Kurtin, sepse ai ka shumicën.

Periskopi: Presidentja Vjosa Osmani organizoi një takim me liderët politikë për të gjetur zgjidhje, por pa rezultat. Si e shihni rolin dhe qasjen e saj?

Mero Baze: Vjosa Osmani ka shumë pak gjëra në dorë për ta ndikuar këtë krizë. E vetmja gjë që mund të bëjë është të tregojë se nuk është në një gjatësi vale me Albin Kurtin – dhe këtë, për hir të së vërtetës, ajo po e bën.

Periskopi: Donald Trump foli së fundmi për dialogun Kosovë–Serbi, duke thënë se do ta “rregullojë”. Si i shihni deklaratat e tij dhe kërkesën e Kurtit për dorëzimin e Milan Radoiçiqit?

Mero Baze: Duhet të jemi realistë. Presidenti Trump nuk ka ndonjë vëmendje të veçantë për konfliktin Kosovë–Serbi. Deklarata e tij i referohet një ngjarjeje që nuk pati efektin që ai pretendon. Kjo është një sinjal alarmi për klasën politike në Kosovë – sepse askush nuk po merret më seriozisht me problemet e tyre.

Ata thjesht duhet të formojnë institucionet sa më shpejt dhe të sillen me përgjegjësi përballë faktorit ndërkombëtar. Trumpi flet për historinë e konfliktit, Kurti për hallet e përditshme – por të dy janë aq larg njëri-tjetrit dhe nga realiteti i Kosovës, sa deklaratat e tyre nuk i hyjnë në punë askujt.

Periskopi: A i nevojitet Kosovës një qeveri me Albin Kurtin kryeministër apo një qeveri me partitë opozitare?

Mero Baze: Kosovës i duhet një qeveri legjitime. Albin Kurti është votuar si partia më e madhe, por jo si fitues absolut. Nëse opozita qëndron e bashkuar, ajo përfaqëson shumicën legjitime për të qeverisur. Për zgjidhjen e ngërçit duhet vullnet politik, unitet dhe respektim i procedurave kushtetuese.

Po afrohet 2 Korriku – një datë historike që na kujton se 35 vjet më parë, më 2 korrik 1990, deputetët ishin gati të vriteshin për të konstituar Kuvendin. Ndërsa sot, janë gati të “vriten” për Albulena Haxhiun. Kjo është shenja më e keqe e regresit që ka pësuar dëshira e Kosovës për shtetformim.

Periskopi: Donika Gërvalla tha se “tani ne e mbrojmë vendin”, ndërsa më parë Kosova ishte e pambrojtur. Si e komentoni këtë deklaratë?

Mero Baze: Unë vetëm lus Zotin që Kosova të mos vihet në provë të mbrohet nga Donika Gërvalla – siç ka mbetur vetëm me listën “Guxo”. Nuk di se si e mbron vendin dikush që ka jetuar në Kosovë më pak se çdo qytetar i zakonshëm. Ka ardhur vetëm si ministre. Ajo as si qytetare e zakonshme nuk mund të jetojë në Kosovë – jo më si “luftëtare”.