Detaje tronditëse janë bërë publike nga mediat austriake në lidhje me tragjedinë që ndodhi në një shkollë në Graz.

21-vjeçari i identifikuar si Arthur A., qëlloi me armë në shkollën ku kishte mësuar duke vrarë nëntë nxënës dhe një mësues.

Më pas në një banjo qëlloi veten duke e çuar numrin total të viktimave të kësaj masakre në 11.

Sipas asaj që shkruajnë mediat austriake, para se të kryente krimin e rëndë, i riu i kishte dërguar një video të ëmës në celular.

Në të, ai kërkonte falje për “atë që do të bënte tani”. 21-vjeçari falenderonte të ëmën për kujdesin ndaj tij.

Këtë video, e ëma e autorit e ka hapur 24 minuta pasi i ishte dërguar në celular. Në këtë kohë, ai e kishte kryer masakrën.

Për më tepër, Arthur A., ka lënë një letër lamtumire. Kronen Zeitung shkruan se në të ai fajësonte shkollën dhe bullizimin ndaj tij për aktin.

Ajo që e bën më rrëqethëse ngjarjen është fakti që 21-vjeçari teksa ka menduar të kryente një akt të tillë, ka shprehur shqetësimin për macen e tij dhe se për të duhej kujdesur sa më shumë të jetë e mundur pas masakrës.

21-vjeçari Arthur A. jetonte vetëm me të ëmën në Kalsdorf pasi prindërit i ishin ndarë. Babai i tij është me origjinë armene.

“Është e paimagjinueshme që një person i tillë të shkaktojë një masakër”, shkruan Kronen krah fotos së të riut.

Austria ka deklaruar tre ditë zie kombëtare pas sulmit më vdekjeprurës pas Luftës së Dytë Botërore në vend.