Kujtojmë sot në ditën e lindjes aktorin e njohur Petraq Xhillari (11 qershor 1943 – 27 dhjetor 2014)
Sot, më 11 qershor, përkujtojmë me nderim dhe respekt aktorin e mirënjohur Petraq Xhillari, një figurë e spikatur e skenës dhe ekranit shqiptar. Lindi në Përmet më 11 qershor 1943 dhe i kushtoi jetën artit, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, shkruan nid.

Fillimisht u formua në fushën e pikturës në Liceun Artistik, por pasioni për teatrin e shtyu drejt një tjetër drejtimi: në vitin 1969 ai u bë pjesë e studios për aktorë pranë Teatrit Kombëtar, ku do të vazhdonte të kontribuonte për dekada me radhë.

Në vitin 1971 u emërua aktor pranë këtij institucioni, ku punoi deri në vitin 1993, duke realizuar mbi 50 role në skenë dhe më shumë se 10 role në kinematografi, kryesisht role karakteri që e bënë të dallueshëm dhe të dashur për publikun.

Në vitin 1995, Petraq Xhillari themeloi teatrin e parë privat në Shqipëri, me emrin “Kafe Teatër 1”, duke sjellë një frymë të re në skenën shqiptare. Në këtë hapësirë intime, me kapacitet prej 90 vetash, ai solli vepra të veçanta si:

“Epopeja e supës”
“Në katin e dytë është parajsa”, të cilat u vlerësuan si më të suksesshmet në repertor.

Petraq Xhillari u nda nga jeta më 27 dhjetor 2014, por kujtimi për të jeton ende përmes rolit të tij të pazëvendësueshëm në artin shqiptar.
Në këtë ditë lindjeje, nderojmë jetën dhe veprën e tij. U prehsh në paqe, mjeshtër!