Partia Demokratike dhe kandidati i saj për deputet në Dibër, Xhemal Gjunkshi, dorëzuan sot (11 qershor) kërkesa të reja për hapjen e kutive të tjera të votimit dhe verifikimin e pamjeve filmike, pas rinumërimit të 42 kutive nga KQZ dhe KAS që u kërkua fillimisht nga vetë PD-ja.

Ironikisht, nga ky rinumërim i iniciuar nga demokratët, doli se ishin vetë numëruesit e Partisë Demokratike ata që kishin “transferuar” vota mes kandidatëve, duke e ngushtuar diferencën mes Gjunkshit dhe rivalit Përparim Spahiu nga 120 në vetëm 54 vota – pa ndryshuar, sidoqoftë, renditjen përfundimtare.

Gjunkshi, i zhgënjyer nga ky rezultat, kërkoi sot para KAS-it që të hapen edhe kutitë e tjera të diasporës dhe të KZAZ-së së Matit, si dhe të verifikohen pamjet filmike për të provuar se manipulimi mund të ketë qenë më i thellë dhe të sjellë ndryshim rezultati. Por KAS i rrëzoi kërkesat e reja, duke theksuar se provat e deritanishme ishin vetëm pjesërisht të besueshme dhe nuk ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, Gjunkshi shprehet i vendosur për të çuar çështjen në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa saga e votave “të humbura” brenda vetë PD-së po nxjerr në pah krizat e brendshme dhe mungesën e besimit mes kandidatëve të saj.