Nga Endri Kajsiu
1. Drejtësi për pagat apo paga për drejtësinë?
Në Shqipëri, drejtësia është për vite me radhë në qendër të reformave të mëdha. U investua shumë me ligje, me buxhete, me mbështetje ndërkombëtare për ta bërë sistemin gjyqësor më të ndershëm dhe të pavarur. Por sot, Unioni i Gjyqtarëve i është drejtuar vetë Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë që ka ngjallur shqetësim të madh publik: kërkojnë rritje të mëtejshme të pagave me truke ligjore. Në një vend ku qytetarët presin me vite për të marrë drejtësi, ku 140 mijë çështje janë stok dhe ku besimi te gjyqësori është minimal, gjyqtarët tashmë ndër më të paguarit në shtet kërkojnë më shumë pagë. Por jo më shumë përgjegjësi. Vetëm më shumë para.
2. Rritja e pagave, nga e nevojshme në e tepruar
Nga viti 2016, paga bruto e një gjyqtari me refomën në drejtësi është rritur me 177% nga 104.856 lekë në mbi 290.000 lekë në muaj. Qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë e mbështetën këtë rritje si një mënyrë për të forcuar pavarësinë dhe për të larguar korrupsionin nga gjyqësori. Por a ndryshoi realiteti? Dosjet mbeten ende të pashqyrtuara për vite të tëra. Transparenca është e ulët. Besimi qytetar nuk po rritet dot me përjashtim të SPAK-ut, që është një përjashtim, jo rregull.
3. Çfarë ndodhi me vendimin e fundit të GJK-së?
Deri në vitin 2022 me ligjin për statusin e magjistratit, gjyqtari kishte si pagë referuese pagën e drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri. Por në vitin 2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 12, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 2, pika 1, të ligjit nr. 50/2021, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke urdhëruar një rritje shtesë në pagën referuese të gjyqtarëve 14.000 lekë më shumë. Efekti financiar i këtij vendimi në buxhetin e shtetit qe 30 milionë euro. Një kosto e rëndë që u përballua përmes shkurtimeve buxhetore në sektorë kyç të zhvillimit. Në vitin 2023, Kuvendi i Shqipërisë, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, riformuloi nenin e shfuqizuar të ligjit të statusit të magjistratit, duke ndryshuar pagën referuese të magjistratëve nga drejtori i përgjithshëm në Kryeministri dhe duke e lidhur me atë të Presidentit të Republikës, si zyrtarin më të lartë të shtetit. Paga referuese u rrit lehtësisht – me 300 lekë, duke ruajtur ekuilibrin mes pavarësisë së gjyqësorit dhe interesit publik.
4. Çfarë kërkojnë sot gjyqtarët?
Unioni i Gjyqtarëve kërkon rikthimin e skemës së vjetër: të lidhin pagën e tyre me atë të drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri. Kjo do të thotë që sa herë rritet paga e këtij pozicioni ( drejtor i përgjithshëm në Kryeministri), të rritet automatikisht edhe paga e gjyqtarëve. Kjo kërkesë është pa bazë kushtetuese. Neni 138 i Kushtetutës thotë qartë: pagat e gjyqtarëve nuk mund të ulen, por nuk garanton rritje automatike për çdo rritje të një zyrtari tjetër.
5. Rritje privilegjesh pa përgjegjësi = deformim
Kërkesa për rritje të mëtejshme nuk është më për drejtësi. Është për privilegj. Dhe privilegji pa përgjegjësi është rrezik për republikën. Një drejtësi që kërkon vetëm për veten, pa reflektuar mbi realitetin e mijëra qytetarëve që presin vendime, është një drejtësi që ka humbur misionin.
6. Askush s’duhet të jetë gjyqtar në çështjen e vet
Ky është një parim themelor i së drejtës. Gjyqtarët nuk mund të kërkojnë paga më të larta duke iu drejtuar vetë Gjykatës Kushtetuese, ku vendimi ndikon drejtpërdrejt edhe për anëtarët e saj. Gjyqtari nuk mund të jetë teknik i pagës së tij por shërbëtor i drejtësisë për qytetarin, ky është misioni fisnik i tij. Nëse Gjykata Kushtetuese do të pranojë një kërkesë të tillë që prek materialisht edhe anëtarët e saj, atëherë do të cenojë integritetin e saj kushtetues.
7. Në vend të drejtësisë, një kastë e paprekshme?
Po lejuam që çdo pushtet të caktojë vetë pagat e veta, atëherë shkatërrohen të gjitha balancat:
Buxheti i shtetit bëhet kasafortë pa çelës Pushtetet kthehen në kasta të privilegjuara Takspaguesi bëhet viktimë e një shteti që punon për vete, jo për qytetarët
8. Drejtësia është mision, jo pazar
Gjyqtarët nuk janë specialistë financash që optimizojnë pagat e tyre. Ata janë garantët e lirisë, të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës. Çdo kërkesë që anashkalon këtë mision, është moralisht e dënueshme dhe ligjërisht e pajustifikueshme.
9. Thirrje për Gjykatën Kushtetuese
Sot, GJK ka një përgjegjësi historike: të mbrojë moralin e drejtësisë, jo ta nëpërkëmbë atë. Nëse ajo bie pre e kërkesës absurde për rritje të mëtejshme pagash, atëherë shkel vetë betimin mbi Kushtetutën, dhe i jep goditjen fatale besimit publik.
10. Në fund të fundit… kush është sovrani?
Në një republikë ku sovrani është qytetari, drejtësia duhet të mbrojë qytetarin, jo xhepin e vet. Drejtësia nuk është një treg për privilegje. Ajo është një shërbim publik me një mision të lartë. Nëse harrohet kjo, atëherë nuk kemi drejtësi. Kemi vetëm një republikë pa themele./Lexo.al