Ka përfunduar pa sukses edhe seanca e sotme në përpjekjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i dalë pas zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit.
Parlamentarët u mblodhën për tentativën e 34-të për formimin e organit të ri legjislativ, por nuk arritën të arrijnë konsensusin e nevojshëm.
Ky dështim i vazhdueshëm thellon bllokadën politike dhe shton pasigurinë për nisjen e punës së kuvendit, duke lënë të pazgjidhura çështjet urgjente të vendit.

Analisti Adri Nurellari, i ftuar në emisionin “Balkan Update” tha se sjelljet e Albin Kurtit nuk kanë kuptim dhe kjo po dëshmohet çdo ditë.
Ai theksoi se kryeministri i Kosovës po dhunon parimet bazë të një rendi demokratik pasi nuk është i aftë të ndërtojë një linjë komunikimi pavarësisht dallimeve politike.
“S’ka kuptim kjo sjellja e Albin Kurtit pasi partitë e tjera para tij, me disa deputetë më pak kanë garantuar zgjedhjen e kuvendit dhe mbarëvajtjen e institucioneve. Kurti praktikisht është duke shkelur parimet bazike të demokracisë”, tha ai.

Sipas Nurellarit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka bindje totalitare dhe kushdo që mendon ndryshe prej linjës së tij shpallet menjëherë “armik”.

“Kurti është i paaftë të ndërtojë konsensus. Ka mentalitet totalitar dhe çdokush që mendon ndryshe prej tij, ai e konsideron si armik. Ai është konfliktuar me të gjithë, madje edhe më partnerët që i ka patur në koalicion. Kurti ka problem me të gjithë, nuk e ka problemin vetëm mes opozitës dhe serbëve, por me shoqërinë civile dhe me mediat e pavarura. Ka pasur probleme me drejtësisë, ka 7 muaj që refuzon të shkojë në prokurori. Ka patur përplasje me partnerët ndërkombëtarë dhe ka dëmtuar rëndë raportet me SHBA. Albin Kurti është i rrezikshëm për Kosovën. Është i paaftë për të qenë në lartësinë e detyrës ”, tha ai.
Ndër të tjera, Nurellari theksoi se Kryeministri i Kosovës ka dëshmuar se është bllokues në opozitës dhe pengmarrës në mazhorancë. Ai kujtoi dhe veprimet e dhunshme të Albin Kurtit, në kohën kur ishte në opozitë.
“Albin Kurti ka qenë bllokues në opozitë dhe pengmarrës në mazhorancë. Kurti nuk do zgjedhje të parakohshme. Ai do ta mbajë ngërçin dhe po vepron sikur është situata normale.”, tha ai