Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e thirrur nga ai u diskutua për një zgjidhje institucionale por nuk u arrit konsensus.

“Unë kam ofruar dy opsione kompromisi në emër të VV-së. Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë s’i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim personal të saj. Ajo nuk dëshiron që të votohet dy herë për të me votim të fshehtë. Me votim të fshehtë për Albulena Haxhiun do të votohet vetëm një herë. Andaj, ne kemi lëvizur dhe kjo nuk duket se u kishte bërë përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë ishte që lë ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshja në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komisionin për votim të fshehtë që mund ta rrëzojmë me votë sepse procesi ka ngelur në gjysmë. Tash, ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat e Vetëvendosjes, mirëpo kjo nuk është mënyra se si ndërtohen shëndetshëm institucionet. Cili është kuptimi të dalësh fitues në zgjedhje, e në fund duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë. Takimi ia ka vlejtur, pasi janë sqaruar shumë gjëra, e një nga to që është e çuditshme dhe brengosëse është që për bindjen time, partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht. Nuk është as qëllimi as kuptimi i atij aktgjykimi cfarë po thuhet nga PDK dhe LDK.” -tha Kurti.