Nga Hermes Kafexhiu
Në fakt, nuk kam tentuar ndonjëherë të jap ndonjë opinion në lidhje me gjeopolitikën, edhe për shkak të informacionit tim jo të plotë në lidhje me të. Së fundmi, ajo që më dha një shtysë të jap një opinion modest është fakti që kam prej kohësh një modë gati të pathelluar për t’u bërë kundër Izraelit.
Në asnjë moment opinioni im nuk mban qëndrim pro për veprimet e pushtetit izraelit në Gaza. Ajo që po ndodh atje është tentativë për spastrim etnik nga një regjim fashist i një grupi partiak të caktuar, që nuk përfaqëson domosdoshmërisht hebrenjtë.
Për shkak të historisë, ka një segment të caktuar në Izrael që gjithmonë do të jetë shumë radikal për t’i kthyer disa vendeve të caktuara borxhet e vjetra që, sipas hebrenjve, këto vende i kanë bërë atyre gjatë kalvarit shekullor, kur mbetën një popull pa atdhe.
Nga ana tjetër, opinioni im nuk ka në asnjë moment qëllim të tregojë një mbrojtje, kontraverse ndaj Izraelit, gjasme si një supermaci e konsideruar në gjuhën arkaike, si popull i zgjuar e të tjerë. Ajo që mendoj unë për Izraelin është se thjesht ata janë një popull i veçantë për shkak të historisë së tyre universale dhe dramës që shkon mbi çdo etni tjetër në historinë e botës. Edhe mendoj që konsiderata për ta si popull i zgjuar është se ata janë një vend që kanë jetuar dhe kanë trashëgimi në shumë vende të botës. Ata kanë parë kohë pas kohe shumë vende dhe kultura në botë, gjë e cila i ka ndihmuar të kenë një kulturë. Nga ana tjetër, janë një vend që kanë qenë gjithmonë në kërkim të vetëvendosjes, duke qenë se kanë qenë të përndjekur, dhe përpjekja e tyre për të krijuar dominim në shoqëri ka ndihmuar mendimin e tyre për të qenë në vëmendje dhe në theks të identitetit të tyre kombëtar dhe historik.
Edhe për të dalë në temë, Shqipëria ka arsye të forta, qoftë edhe nga interesat shoqërore, qoftë politike për shumë arsye, të mos jetë me Iranin dhe të mos e ngatërrojë Gazën me Iranin në rastin e Izraelit.
1. Sulmi i drejtpërdrejtë kibernetik ndaj shtetit shqiptar (2022)
Në korrik 2022, Shqipëria u bë viktimë e një sulmi të madh kibernetik të sponsorizuar nga shteti iranian. Grupi “HomeLand Justice”, i lidhur me inteligjencën iraniane, sulmoi portalin qeveritar e-Albania, fshiu të dhëna, bllokoi shërbime të rëndësishme publike dhe krijoi dëme të mëdha teknike dhe financiare.
Ky sulm u konsiderua nga qeveria shqiptare si një akt agresioni shtetëror, dhe pas mbështetjes nga SHBA dhe aleatët e NATO-s, Shqipëria shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Iranin në shtator 2022, një veprim i paprecedentë për një vend të NATO-s ndaj një fuqie të madhe rajonale.
2. Sulme të përsëritura dhe ndërhyrje të vazhdueshme
Pas sulmit fillestar, autoritetet shqiptare kanë regjistruar sulme të tjera kibernetike të ngjashme, përfshirë një sulm ndaj INSTAT në fillim të vitit 2024, i cili preku sisteme të brendshme të qeverisë. Sulmet janë pjesë e një strategjie më të gjerë të destabilizimit dixhital të Shqipërisë, duke përdorur viruse të avancuara, ransomëare dhe programe shkatërruese të të dhënave.
3. Spiunazh dhe tentativë për akte terroriste
Nuk është vetëm kibernetika që e vendos Iranin në rolin e një shteti armiqësor. Në vitin 2016, Shqipëria dëboi ambasadorin iranian Gholamhossein Mohammadnia dhe disa diplomatë të tjerë nën akuzat për komplot për sulme terroriste ndaj organizatës opozitare iraniane MEK, e cila është vendosur në Shqipëri me ndihmën e SHBA-së dhe OKB-së.
Këto përpjekje për ndërhyrje të drejtpërdrejta në territorin shqiptar përbëjnë një shkelje të qartë të sovranitetit të vendit dhe një kërcënim të papranueshëm për rendin kushtetues.
4. Tentativa për të sulmuar Shqipërinë
Ka një dokument zyrtar që Irani ka planifikuar një sulm me raketa në Manzë, ku janë strehuar muxhahedinët, dhe është ndaluar me ndërhyrjen e palëve të treta.
5. Irani nuk njeh shtetin e Kosovës dhe ka ndihmuar me armatim Serbinë.
Përtej këtyre arsyeve dhe shumë të tjerave, Irani është vendi që është provuar se ka financuar dhe nxitur grupet paraushtarake Hamas dhe Houthi, grupe të cilat janë shkak i ngritjes së konfliktit në Gaza.
Nuk mund të përdorësh emocionin e besimtarëve musliman për të ndërtuar një retorikë dhe të kthehesh në këtë konflikt me Iranin dhe Izraelin. Ajo që ka bërë Izraeli gabim, ndoshta është që më mirë të sulmonte Iranin që në fillim si shkaktarin kryesor të këtij konflikti të ndodhur.
Irani nuk mund të viktimizohet, Irani është një regjim me rrezikshmëri të lartë.
Grupet e caktuara që në emër të besimit bëjnë përpjekje për të përdorur rastin dhe për të krijuar anti-semitizëm, është një përpjekje që përsërit luftën raciale, një pikë nevralgjike e botës. Nuk mund të kthehet normale që të jesh kundër Izraelit. Madje edhe kthyerit në modë për të qenë kundër Izraelit është e gabuar.
Në realitet, fakti që të jesh kundër Izraelit nuk është thjesht një çështje bindjeje personale apo ndjenje solidariteti me palë të ndryshme në konflikt. Është një fenomen që ushqehet dhe promovohen nga aktorë të ndryshëm, me interesa të shumëfishta, shpesh të fshehta, që përfitojnë nga përçarja dhe polarizimi global.
Së pari, nuk mund të anashkalojmë ndikimin e mediave dhe rrjeteve sociale, ku informacioni shpesh deformohet, e zbërthehet në narracione të thjeshtuara dhe të njëanshme. Disa prej këtyre platformave shpërndajnë paqëndrueshmëri, duke përdorur tituj senzacionalë dhe lajme të pakonfirmuara, që nxisin urrejtje dhe ndarje mes komuniteteve. Kjo krijon një atmosferë ku anti-izraelitizmi përhapet si virusi, duke u kthyer në një “modë” politike dhe sociale.
Po ashtu, disa shtete dhe grupime politike, përfshirë ato me interes rajonal apo global, kanë ndërtuar dhe financojnë fushata propagandistike që synojnë të delegjitimojnë Izraelin në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst futen edhe organizata të ndryshme, që shpesh përdorin retorikë të fortë kundër Izraelit, duke përzier qëllimet politike me elemente fetare dhe kulturore. Kjo i jep kësaj çështjeje dimensione që shkojnë përtej konfliktit konkret në Gaza apo Lindjen e Mesme.
Në fund të fundit, është e rëndësishme të kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për një konflikt dypalësh, por për një sfidë komplekse ku propaganda, politika dhe emocioni ndërthuren. Ndaj, të jesh kundër Izraelit nuk është vetëm një qëndrim moral apo politik, por shpesh një rezultat i ndikimeve dhe interesave të fuqishme që përfitojnë nga ky konflikt.
Në këtë mënyrë, çdo opinion duhet të analizojë thellë burimet dhe motivet që qëndrojnë pas tij, për të mos rënë pre e manipulimeve që shpesh i shërbejnë më shumë përçarjes sesa zgjidhjes së paqes.