Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrot për pasuritë e Arben Ahmetajt dhe ish-gruas së tij, Albina Mançka, për të cilat Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje procedurale dhe cenimin e të drejtës së pronës.

Këtë të shtunë gjyqtari Dhimitër Lara la në fuqi sekuestrot për një apartament në zonën e Shallvareve, një depozitë dhe një llogari bankare të zotëruara nga Ahmetaj i cili është në arrati.

Në muajin prill Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimet e GJKKO, të Apelit të GJKKO dhe Gjykatës së Lartë mbi këto pasuri duke kthyer çështjen për rigjykim në shkallën e dytë.

Ahmetaj dyshohet dhe po hetohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Ish-ministri dhe ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, është në arrati prej korrikut 2023.

“Ankues A.A., çështja nr.36 akti, datë 30.05.2025 regjistrimi, me objekt: caktim mase sigurimi pasuror, sekuestro preventive. Ardhur për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari z. Dhimitër Lara, pas shqyrtimit të çështjes sot me datë 14.06.2025, vendosi:

Miratimin e vendimit/urdhrit n.296 akti, datë 17/07/2023 të Gjykatës së Posaçme të Shakllës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pasurinë

-Apartament n.*, sip.167m2, zk *, rruga ‘*’, ap.*, *, regjistruar në pronësi të z.A.A.;

-Shuma 8.620,68 euro në llogarinë me n.*, në * Bank, në emër të personit nën hetim z.A.A.;

-Shuma 115.692,84 euro në depozitën n.*, në ** Bank, me balancë 115.692,84 euro, në emër të personit nën hetim z.A.A”, njoftoi Apeli i GJKKO.