Në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë, ka nisur rinumërimi i 2.323 kutive të votimit nga zgjedhjet e 11 majit, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

Procesi fillimisht ka nisur me hapjen e 94 kutive të bashkive Peqin dhe Gramsh të qarkut të Elbasanit (së bashku me kutitë e materialeve zgjedhore). Më pas do të vijohet me Tiranën (1.282 kuti), Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora.)

Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). Rinumërimi parashikohet që të zgjasë deri në 1 muaj, për shkak të numrit më të ulët të tavolinave krahasuar me numërimin fillestar më 11 maj.

KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit. Paratë do të shpenzohen për sistemin online të raportimit, logjistikën dhe materialet ndihmëse. Të pranishëm do të jenë edhe vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.

Me hapjen e 94 kutive në bashkitë Peqin dhe Gramsh do të krahasohen fletët e votimit me materialet zgjedhore. Në qarkun Tiranë, do të numërohen të gjitha votat si për partitë ashtu edhe për kandidatët. Edhe në qarkun e Fierit po ashtu. Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.

A mund të ndryshojë diçka? Cilat janë diferencat?

FIER
Në Fier, Koalicioni “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt e humbi mandatin për rreth 500 vota. Nëse rinumërimi gjen kaq vota në favor të partisë së re, atëherë Azmer Duleviç bëhet deputet, dhe nga Partia Socialiste humbet një mandat dhe ajo që ngel jashtë është Zegjine Çaushi. PD nuk rrezikon asgjë nga rinumërimi.
Që Nisma Mundësia të marrë mandatin në qarkun e Fierit i duhet të rikuperojë 519 vota dhe t’i marrë Partisë Socialiste një deputet. Çdo ndryshim tjetër është i pamundur. Qe PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë, ose PS te ketë rreth 19,000 vota më pak. Pra, krejtësisht e pamundur.

TIRANË
Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota ‘gjenden’, në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti. Që Mundësia ta ruaje mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4500 vota.

Kandidatët

Diferenca më e ngushtë e kandidatëve demokratë në Tiranë, është ajo e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Deputetja aktuale ka një avantazh prej 2400 votash, që zor se thyhet.
Mes socialistëve, diferenca më e ngushtë dhe me risk për tu përmbysur, është ajo mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylamentit. Ish-ministrja ka një avantazh të lehtë prej 140 votash. Nga ana tjetër, Xhemal Qefalia është 500 vota larg Ornaldo Rakipit, i cili doli fitues.

DURRËS

Në Durrës, Aulon Kalaja po zhvillon një betejë kundër ish prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit rezulton fitues me gati 1000 vota diferencë, e cila zor se mund të përmbyset në kushtet kur PD nuk ka kërkuar rinumërim të plotë të qarkut, por një pjesë të tij.

Ndërsa mundësia për përmbysje të mëdha në mandate është e vogël, disa gara individuale dhe mandate të veçanta – veçanërisht në Tiranë dhe Fier – mbeten të hapura. Rinumërimi pritet të japë më shumë qartësi në javët në vijim.

A do rrëzohet narrativa e “vjedhjes”?

Ky rinumërim shihet si një provë konkrete për të verifikuar pretendimet e forta të opozitës, në veçanti të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se zgjedhjet e 11 majit u manipuluan në masë. Nëse rezultati i rinumërimit ndryshon pak ose aspak, atëherë pretendimi për “vjedhje” do të vihet seriozisht në pikëpyetje. Por nëse dalin devijime domethënëse, opozita do të ketë në dorë një provë të fortë politike për të ushqyer më tej akuzat ndaj mazhorancës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.