Gazetari Flamur Vezaj ka komentuar përmes një postimi në rrjetet sociale shkarkimet e fundit në Prokurorinë e Posaçme. Rreth një javë më parë, kreu i SPAK, Altin Dumani shkarkoi nga posti i Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, Arben Krajën. Duke ironizuar, Vezaj shkruan se ndërsa bota po mbante frymën për një luftë të re mes Izraelit dhe Iranit, në Shqipëri ndodhi një përplasje tjetër, po aq “strategjike”, beteja për pushtet në SPAK.
Ai thotë më tej se Dumani, të cilit i mbaron mandati në dhjetor, po mundohet të garantojë që SPAK, edhe kur ai të largohet të mbajë emrin e tij. Këtë, sipas gazetarit, po e bën fillimisht duke tentuar të emërojë shefin e ri të BKH-së, për një mandat 5-vjeçar, jo me meritë por me “besnikëri”. Vezaj shprehet se shkarkimi i Krajës erdhi për shkak se nuk mbështetit emrin e zgjedhur nga Dumani për drejtimin e BKH-së. Më tej shton se ky ndryshim ishte mesazh i nënkuptuar edhe për prokurorin Behar Dibra, që dyshohet se do të votonte ashtu si Kraja për personin që do drejtojë BKh-në.
Vezaj nuk ka lënë pa përmendur dhe pasuesen e Krajës në postin e Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, Dorina Bejkon që sipas tij u soll në SPAK me porosi të Dumanit dhe ish-ministrit Fatmir Xhafa. Gazetari shkruan se kjo është drejtësia e re në Shqipëri, “me prokurorë hakmarrës, oficerë të dosjeve të paplota, votime “parimore” dhe institucione “të pavarura” që në fakt varen më shumë se asnjëherë më parë, nga “shefi””.
POSTIMI I PLOTË:
Fronti i ri i luftës? Jo në Lindjen e Mesme, por në SPAK!
Ndërsa bota mbante frymën për një luftë të re mes Izraelit dhe Iranit, dhe SHBA shpërtheu depot bërthamore iraniane me kirurgji precize, në Shqipëri ndodhi një përplasje tjetër, po aq “strategjike”, beteja për pushtet në SPAK!
Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë aksion ndaj krimit të organizuar apo aferave miliardëshe, por për një luftë të vogël, të ndyrë dhe plot inate personale, që po zhvillohet në kulisat e drejtësisë së “re”.
Altin Dumani, drejtuesi i SPAK që e ka biletën e largimit të prenotuar për në dhjetor, nuk po lë gur pa lëvizur për të garantuar që SPAK-u, i nesërm, të mbetet gjithsesi… Dumani. Dhe si fillim, po tenton të emëroj shefin e ri të BKH-së, për një mandat 5-vjeçar. Dhe siç e do tradita shqiptare, jo me meritë, po me “besnikëri”.
Zgjedhja u bë arenë përplasjeje mes Dumanit dhe ish-shefit të tij, prokurorit Arben Kraja. Kraja, që guxoi dhe e shprehu votën kundër kandidatit Elton Kerluku dhe përkrahu rivalin veteran Jon Keta, u ndëshkua pa mëshirë. U shkarkua menjëherë nga pozicioni. Mesazhi? Kush nuk bie dakord me “shefin”, i hiqen gradat institucionale.
Por me sa duket, ky veprim hakmarrës ndaj prokurorit Kraja, ishte edhe një kërcitje gishtash ose mesazh me nëntekst për prokurorin Behar Dibra, që sipas gojëve të liga, do të votonte njësoj si Kraja. Pra, po ti heqësh “spaletat” një Prokurori të respektuar në institucion siç është Kraja, çfarë mund t’i bësh një prokurori të njohur për afeksionin ndaj gotës? Do ta shohim në episodet në vijim…
Ndërkohë, procedura për zgjedhjen e kreut të BKH-së u shty pa asnjë bazë ligjore. Arsyeja? Kandidati i Dumanit kishte… dosje të paplotë! Po hej, për çfarë kemi letra ligjore kur kemi dëshira personale, apo jo? Por siç ndodh shpesh në Shqipëri, kur s’është ligji, hyn në lojë “dëshira e shefit”.
Dhe si të mos mjaftonte kjo, Dumani ka nisur edhe ndërtimin e dinastisë së tij brenda SPAK-ut. Trashëgimtarja e kurorës? Prokurorja Dorina Bejko. Sipas zërave të korridoreve, të gjatë e me pllaka mermeri, u soll në SPAK me porosi të Dumanit dhe ish-ministrit Fatmir Xhafa. Qëndroi pak muaj në komandim, dha provën e besnikërisë, dhe KLP-ja, si gjithmonë në versionin “kemi vendosur të vendosim çfarë na thanë”, e emëroi me një vendim të “pavarur”.
Pra, Dumani largohet në dhjetor, por bën gjithçka që “dëshira” e tij të mos ikë kurrë nga godina. Jo më kot, çdo herë që ka dashur diçka, shefi i SPAK-ut, gjykatat dhe KLP-ja e kanë zbatuar me përpikëri… dëshirën e tij, jo ligjin e Kushtetutën.
Kjo është drejtësia e re në Shqipëri: me prokurorë hakmarrës, oficerë të dosjeve të paplota, votime “parimore” dhe institucione “të pavarura” që në fakt varen më shumë se asnjëherë më parë, nga “shefi”!