Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin ‘Kredia’ ku ka arrestuar 33-vjeçaren Donika Curri, e dyshuar për mashtrim financiar me përdorimin e të dhënave personale të disa shtetaseve.

Sipas policisë, Donika Curri prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, duke u kërkuar viktimave fotokopje të kartës së identitetit me premtimin e ndihmës mujore. Shumat që ka përvetësuar kanë qenë deri në 5 mijë euro.

Më pas, ajo përdorte këto të dhëna për të përfituar kredi në institucione financiare. Operacioni erdhi pas 16 kallëzimeve nga qytetare të prekur nga skema e mashtrimit. Gjatë kontrollit u sekuestruan dokumente bankare që tregojnë transfertat e parave të përfituara, të derdhura në një llogari të administruar nga e dyshuara.

Njoftimi i Policisë Lezhë:

Iu merrte foto të kartës së identitetit, shtetaseve, duke i mashtruar se ishte përfaqësuese e një shoqate bamirësie, dhe me të dhënat e tyre merrte kredi, vihet në pranga 33-vjeçarja. Arrestimi i saj, rezultat i administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve për këtë skemë mashtrimi. Sekuestrohen dokumente bankare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, si rezultat i administrimit të kallëzimit të disa shtetaseve, për një shtetase që iu kishte marrë të dhënat personale, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësuese e një shoqate bamirësie, finalizuan operacionin policor të koduar “Kredia”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasja D. C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se shtetasja D. C. iu prezantohej shtetaseve me fëmijë të mitur, si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe iu merrte atyre të dhënat personale (foto të kartës së identitetit), duke iu premtuar pagesa mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre, aplikonte dhe merrte kredi në institucione financiare.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë tranfertat e parave të përfituara nga kreditë, në një llogari që administrohej nga shtetasja D. C.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.