Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se është e domosdoshme të hiqen duart nga këmbëzat e armëve para se të ketë më shumë shkatërrime, gjakderdhje, viktima civile dhe një katastrofë të tmerrshme në konfliktin Izrael-Iran.

Erdogan mbajti një fjalim në aktivitetin e Forumit Rinor të Organizatës së Bashkëpunimit Islam që u organizua në sallonin e Kongreseve të Universitetit “Haliç” në Stamboll.

Ai tha se bota islame po kalon një periudhë të vështirë, me luftëra, konflikte dhe paqëndrueshmëri që hedhin hije mbi të gjithë gjeografinë e saj.
Duke folur për sulmet izraelite ndaj palestinezëve, presidenti turk tërhoqi vëmendjen në sulmet ndaj civilëve që presin ndihma humanitare.

“Njerëzit që qëndrojnë në radhët e shpërndarjes së ushqimit në Gaza për një copë bukë dhe një tas supë po shënjestrohen egërsisht”, tha ai.

“Gaza ka përjetuar një nga aktet më të turpshme të barbarizmit modern për 21 muaj”, shtoi Erdogan.

“Izraeli, i cili ankohet për dëmet në spitalet e tij sot, deri më tani ka kryer mbi 700 sulme ndaj institucioneve të kujdesit shëndetësor vetëm në Gaza”, tha më tej ai duke shtuar se “qeveria e Netanyahut është kryesisht përgjegjëse për gjenocidin në Gaza. Ata që heshtin përballë këtyre masakrave janë bashkëpunëtorë në këto krime”.

Erdogan theksoi se ata që e shndërruan Gazën në kampin më të madh të përqendrimit në botë, të flasin për krime lufte, nuk është vetëm paqëndrueshmëri, por tregojnë edhe paturpësi të madhe.