Të paktën pesë persona janë vrarë, përfshirë një fëmijë 18-muajsh, në sulmet e fundit ruse në Ukrainë, raporton La Repubblica. Qyteti më i prekur është Khrakiv, i shënjestruar nga dronë, raketa balistike dhe bomba dy-tonëshe të hedhura nga avionët luftarakë Sukhoi.

“Kharkivi po përjeton aktualisht sulmin më të fuqishëm që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë”, shkroi kryebashkiaku Igor Terekhov në Telegram, duke përshkruar një breshëri raketash, dronësh dhe bombash të drejtuara që godisnin njëkohësisht.

“Të paktën 40 shpërthime u dëgjuan në qytet brenda një ore e gjysmë dhe kërcënimi nga dronët mbetet.”

Raketa dhe dronë gjithashtu u lëshuan në Dnipro dhe Ternopil. Në Kiev, alarmi u dha dy herë, por para agimit shpërthyen vetëm avionë me bomba të telekomanduara.

Presidenti i SHBA, Donald Trump kritikoi sulmin me dron ukrainas brenda kufijve të Rusisë.

“Ata i dhanë Putinit një arsye për të hyrë dhe për t’i bombarduar. Kjo është ajo që nuk më pëlqeu. Kur e pashë mendova: tani do të ketë hakmarrje”, u tha ai gazetarëve.

Trump tha se shpreson që lufta midis Ukrainës dhe Rusisë të mos shndërrohej në “një konflikt bërthamor”. “Shpresoj që jo”, iu përgjigj ai pyetjeve të gazetarëve që e ndiqnin.

Presidenti amerikan foli gjithashtu edhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Rusisë “nëse është e nevojshme”.

“Nëse mendoj se Rusia nuk po kërkon një marrëveshje ose nuk është e gatshme të ndalojë gjakderdhjen, do t’i përdor ato nëse është e nevojshme”.

Trump shtoi se senatorët, shumë prej të cilëve kanë nënshkruar një projektligj për të rritur sanksionet ndaj Rusisë, po ia lënë atij vendimin përfundimtar.

“Nuk kam folur me ta për këtë. Ata kanë një projektligj, por është vendimi im, është opsioni im. Nuk kam vendosur ta përdor. Është një projektligj shumë i vështirë”, tha ai.