Ndryshimet në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 79/2017 ‘Për sportin’, të propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, kanë qëllim modernizimin e sistemit sportiv në vend dhe forcimin e përfshirjes së të gjithë grupeve shoqërore në jetën sportive.
Në fjalën e saj në Kuvend, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e këtyre ndryshimeve si një hap përpara drejt një sporti më të hapur, më të drejtë dhe në përputhje me standardet evropiane.
“Sot është momenti që të bëjmë një tjetër hap domethënës, do të zgjerojmë horizontin për sportin, duke përfshirë për herë të parë me të njëjtat të drejta dhe me mbështetje të posaçme disa prej aktorëve që kanë qenë jashtë vëmendjes së ligjit. Së pari, përfshirja e Komitetit Paralimpik Shqiptar dhe Lëvizjes Olimpike Speciale. Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, Komiteti Paralimpik dhe Lëvizja Olimpike Speciale do të njihen zyrtarisht si struktura të pavarura me të drejta të plota për të përfaqësuar dhe zhvilluar sportin për personat me aftësi speciale. Nga miratimi i këtij ligji, ne fuqizojmë dhe mbështesim këto dy organizata duke u krijuar mundësinë për të qenë të pavarura dhe të financuara direkt nga buxheti i shtetit. Së dyti, përfshirja për herë të parë e instrumentit të ri për krijimin e fondacioneve sportive të krijuara nga shteti. Krijimi i fondacioneve publike do të mundësojë një qasje më fleksibël dhe më të drejtpërdrejtë për mbështetjen e sporteve të ndryshme. Këto fondacione do të funksionojnë si një urë mes shtetit, komunitetit sportiv dhe sektorit publik.”, tha ministrja Manastirliu.
Në vijim të prezantimit të ndryshimeve në ligjin për sportin, Ministrja Manastirliu u ndal edhe te një prej risive që sjell projektligji: përcaktimi i formës juridike të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Ajo theksoi se ky ndryshim nuk cenon funksionimin e deritanishëm të këtij mekanizmi, por synon ta forcojë përmes një kuadri ligjor të qartë dhe të dakordësuar me të gjitha federatat sportive, përfshirë edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Ministrja u shpreh:
“Krijojmë formën juridike të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv mbetet njësoj në formën dhe mënyrën se si do të organizohet edhe pas këtij ndryshimi që ne propozojmë sot, i cili rregullon vetëm formën juridike, pra si do të regjistrohet Këshilli i Arbitrazhit Sportiv në gjykatë. Pra, kjo është dhe sa i përket mënyrës se si do të zgjidhen juristët në Arbitrazhin Sportiv, kjo i përket formës e cila miratohet nga Asambleja e përfaqësuesve që është në KOKSH dhe asambleja përbëhet nga të gjitha federatat, që do të thotë që vetë federatat do të miratojnë rregulloren përmes miratimit në Asamble. Aty përcaktohen kriteret, përcaktohen mënyrat e përzgjedhjes dhe të gjithë këto elemente. Nuk po ndryshojmë asgjë, ky entitet ruan pavarësinë, ruan paanësinë, ruan identitetin dhe të gjitha parimet.”, tha Ministrja Manastirliu.
Ligji vjen pas një faze të gjatë konsultimi me grupet e interesit dhe mbështetet nga një sërë rekomandimesh të partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të përputhjes me politikat evropiane për sportin dhe gjithëpërfshirjen.
“Jemi sot për të miratuar një paketë ndryshimesh ndër më të rëndësishmet në një ligj, i cili ndër më vizionarët sa i përket organizimit të sportit dhe ekosistemit të sportit në tërësi dhe që me ndryshimet e propozuara, të cilat janë konsultuar dhe për të cilat është marrë një kohë e mjaftueshme për t’u konsultuar me të gjithë palët dhe grupet e interesit, duke i ardhur në ndihmë jo vetëm organizatave dhe federatave sportive, por edhe duke krijuar më shumë larmi, më shumë instrumenta ligjorë për të mbështetur sportin, për të mbështetur sportit dhe sigurisht për të mbështetur personat me aftësi speciale për të krijuar të drejta dhe mundësi të barabarta për ta. Kemi bërë një rrugëtim të gjatë për të hartuar këto ndryshime ligjore duke e konsultuar me të gjithë ata që janë aktorë kryesorë në ekosistemin e sportit, duke nisur nga Komiteti Olimpik Shqiptar, te Federata Shqiptare e Futbollit, te federatat e tjera, gjithashtu me Universitetin e Sporteve, kemi bërë një proces konsultimi në tavolina të rrumbullakëta, por edhe konsultim ligjor si edhe e kërkon ligji.”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu bëri dhe një rezyme të mbështetjes së qeverisë për sportin ku gjatë viteve të fundit investimet në sport janë trefishuar, ndërsa mbështetja për sportistët elitarë është rritur ndjeshëm. Janë zbatuar investime të konsiderueshme në infrastrukturën sportive në të gjithë vendin, me mbi 200 palestra dhe terrene sportive të ndërtuara në shkolla, si dhe ndërtimin e stadiumeve të reja dhe parqeve olimpike. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mbështetjes së sportistëve elitarë, të cilët sot përfitojnë shpërblime dinjitoze për arritjet e tyre. Qëllimi kryesor mbetet krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, masivizimi i sportit dhe shndërrimi i tij në një mjet për edukim, përfshirje sociale dhe përmirësim të shëndetit të qytetarëve.