Durrës, 23 qershor 2025 – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ishin sot në shkollën “Eftali Koçi” në Durrës, një nga 10 shkollat në të gjithë Shqipërinë ku po pilotohet programi i shkollës verore.
Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij programi për angazhimin e fëmijëve gjatë verës dhe për krijimin e mundësive më të mëdha arsimore dhe sociale për ta.
“Shkolla ‘Eftali Koçi’ është një ndër 10 shkollat ku ne jemi duke pilotuar këtë vit shkollën verore. Një prej shkollave më të mira të Durrësit, por që është përzgjedhur pikërisht për të zhvilluar këtë program, i cili duke filluar nga viti i ardhshëm do të shtrihet edhe në shumë shkolla. Është një mundësi shumë e mirë për fëmijët për të qenë brenda mjedisit të shkollës me mësuesit e tyre, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme, sociale, kulturore, artistike, por të gjitha duke mësuar përmes lojës. Nga ana tjetër duke u shoqërizuar me njëri-tjetrin.” deklaroi Manastirliu.
Ministrja nënvizoi se ky është një program që forcon lidhjen e fëmijëve me shkollën edhe përtej vitit mësimor.
“Për ne është një program shumë i rëndësishëm, i cili i lidh fëmijët edhe më shumë me shkollën përtej vitit shkollor, duke krijuar mundësinë që në dy javët direkt pas vitit shkollor të mundet të qëndrojnë në mjedisin e shkollës me mësuesit e tyre, dhe duke i krijuar mundësi kështu prindërve të jenë shumë më komod në punët e tyre. Ne duam që këtë program, i cili po e pilotojmë në tetë shkolla në Tiranë, në një në Kamëz dhe këtu në shkollën ‘Eftali Koçi’ në Durrës, ta zgjerojmë vitin tjetër në më shumë shkolla për të krijuar mundësinë e aksesit sa më të gjerë të fëmijëve në strukturat tona arsimore.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Nga ana e saj, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vlerësoi përzgjedhjen e shkollës “Eftali Koçi” si pjesë e programit të shkollave verore, duke e cilësuar këtë një iniciativë shumë të mirë që duhet të vijojë edhe vitin e ardhshëm.
Programi i shkollës verore synon të shndërrojë shkollat në qendra të aktivitetit komunitar gjatë pushimeve, duke zhvilluar një qasje të re ndaj edukimit përmes lojës, bashkëpunimit dhe angazhimit social.