Nxënësit e shkollës “Mihal Grameno” në Tiranë kanë tashmë dy laboratorë të rinj inteligjentë, që u shërbejnë jo vetëm për lëndën e teknologjisë dhe informacionit, por edhe për lëndë të tjera.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishte sot në këtë shkollë në kryeqytet, ku ndoqi nga afër një orë mësimi të zhvilluar në laboratorin e ri inteligjent, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, përmes teknologjisë.

Ministrja Manastirliu tha se “kreativiteti, bashkëpunimi dhe përdorimi i teknologjisë janë kthyer në pjesë të natyrshme të ndërveprimit mësues-nxënës gjatë procesit mësimor, ku nxënësit thellojnë njohuritë dhe rrisin aftësitë digjitale, ndërsa mësuesit përmes projekteve konkrete dhe bashkëpunimit me nxënësit rrisin standardet profesionale”.

Ndër të tjera, Manastirliu nënvizoi se po punohet për organizimin për herë të parë të Festivalit të Shkencës, ku do të prezantohen të gjitha produktet novatore dhe krijimet shkencore të nxënësve nga shkollat në mbarë vendin.

Një prej nxënëseve të shkollës “Mihal Grameno”, u shpreh se ky vit për të dhe bashkëmoshatarët e saj ka qenë emocionues, pasi janë organizuar shumë projekte të bukura në vende ku është përdorur teknologjia dhe laboratorët inteligjentë, transmeton ora.

Ministrja Manastirliu vlerësoi nxënësit dhe mësuesen e anglishtes të shkollës “Mihal Grameno” që u angazhuan në projektin “Discover Albania”, duke u shprehur se ata kanë krijuar një produkt, i cili i vlen gjithë komunitetit për promovimin e vendit.

“Sa herë që vizitoj një smartlab shoh që përdoret për lëndë dhe qëllime të ndryshme. Kjo herë ishte për të parë se si një mësues i anglishtes për të marrë gradën e mësuesit mjeshtër ka punuar së bashku me nxënësit për të zhvilluar produkte novatore ku janë realizuar këto projekte fantastike që do t’i bëjmë pjesë vitin e ardhshëm në Festivalin e Shkencës”, tha Manastirliu.

Aktualisht janë funksionalë 316 laboratorë inteligjentë në shkollat e vendit, ndërsa në dy vitet e ardhshme synimi është që 1,000 shkolla të pajisen me këtë infrastrukturë moderne.