Tiranë – Shqipëria hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pronësisë, përmes miratimit të Udhërrëfyesit për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për periudhën 2025–2028. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, pas mbledhjes së radhës të Komitetit Ndërministror për Tokën, të zhvilluar sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.

“Po ndërtojmë një sistem të drejtë, transparent dhe tërësisht të digjitalizuar, në përputhje me standardet më të mira europiane. Tokës i japim drejtësi, qytetarëve siguri!”, deklaroi Manja, duke shtuar se miratimi i udhërrëfyesit është një hap thelbësor për të garantuar siguri juridike dhe administrim efikas të pronës në vend.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky plan synon t’i japë fund pasigurisë dhe zvarritjeve që kanë shoqëruar prej dekadash proceset e regjistrimit të pronës dhe do të përmirësojë ndjeshëm aksesin dhe transparencën për qytetarët dhe institucionet publike.