Tiranë, 9 qershor 2025 – Janë shpallur 55 projektet fituese të thirrjes së parë për bashkëprojekte ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe diasporës akademike, mbështetur nga programi READ, një nismë e përbashkët e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Në këtë thirrje aplikuan 477 studiues nga 15 vende të botës, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Francën, Zvicrën, Suedinë, Kanadanë e të tjerë. 55 projektet e përzgjedhura përfaqësojnë fusha me prioritet të lartë si shkencat mjekësore, teknologjia, mjedisi, energjia, turizmi, ekonomia dhe bujqësia, duke ndërlidhur studiues të diasporës me akademikë nga 13 universitete publike dhe private në Shqipëri.
Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së prezantimit të projekteve fituese, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë:
“Sot kurorëzojmë një prej programeve të qëndrueshme, të cilat në mënyrë të pavarur kanë lindur dhe janë zhvilluar derisa u takuan së bashku, për t’u bërë një dhe për të vijuar rrugëtimin së bashku në përpjekje për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, për të rritur në një nivel të ri ekselencën akademike, për të bërë të mundur që zhvillimi ndërkombëtar të pasqyrohet në zhvillimin e brendshëm, për të arritur një tjetër indikator të rëndësishëm që vetëm përmes diasporës sonë akademike, vetëm përmes bashkëpunimit dhe përmes ndërkombëtarizimit ne mundemi që të arrijmë edhe vizibilitetin kaq shumë të nevojshëm të pedagogëve tanë, të studiuesve tanë, të kërkuesve tanë, të akademikëve tanë në nivelet globale.”, tha Ministrja Manastirliu duke theksuar se bashkëpunimi mes diasporës dhe studiuesve vendas është një garanci për rritjen e cilësisë së kërkimit dhe shërbimit ndaj shoqërisë.
Programi READ është një nga dy programet që Ministria e Arsimit dhe AADF po realizojnë për të forcuar kapacitetet kërkimore dhe për të nxitur përthithjen e fondeve ndërkombëtare. Ministrja Manastirliu theksoi:
“Janë dy programe të cilat i janë dedikuar kërkimit shkencor dhe rritjes së kapaciteteve të universiteteve publike, që në bashkëpunim me AADF ne jemi duke realizuar, që është programi Read dhe programi më i ri, programi Bridge, që do të mbështesë universitete për të ngritur kapacitetet për të përthithur fonde përmes projekteve ndërkombëtare, ku padyshim dhe kontributi juaj i diasporës akademike është më se i mirëpritur.”
Ministrja Manastirliu foli dhe për rolin e akademikëve dhe studiuesve shqiptarë në këtë program:
“Janë më shumë se 250 kontribues në 55 projektet, 200 prej të cilëve janë pedagogë kërkues shkencorë të universiteteve tona publike dhe private, dhe janë 55 akademikë nga diaspora, pra jeni ju, të cilët do të kontribuoni përmes këtyre projekteve në studime, në kërkime, në publikime, në artikuj dhe jeni të angazhuar tashmë në fushat e rëndësishme dhe me rëndësi strategjike për vendin, sikurse lidhen me fusha të zhvillimit teknologjik, inovacionit, mjedisit, të shëndetësisë apo dhe ato shoqërore, që ne të kemi kontribute reale që t’i vlejnë përmirësimit social, ekonomik dhe teknologjik të vendit.”
Programi READ është pjesë e një skeme më të gjerë të mbështetjes së kërkimit shkencor ku për vitin 2025 janë shpallur gjithsej 181 projekte fituese, përfshirë dhe 126 projekte kombëtare të shpallura pak ditë më parë. Me një rritje prej 15% të fondeve krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria vijon të ndërtojë një ekosistem kërkimi të qëndrueshëm dhe të ndërkombëtarizuar.