Presidenti i Eurojust, Michael Schmid gjatë fjalës së tij në Forumin e Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë u shpreh se vitet e fundit është rritur bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në goditjen e krimeve të ndryshme. Sipas tij projekti për Ballkanin Perëndimor është efikas dhe se objektivi kryesor është të rrisin besimin reciprok dhe për bashkëpunim ndërkufitar në rajon.

“Janë konfiskuar mallra të paligjshme në numër të lartë, grupe hetimore të përbashkëta, vetëm nga vendet e këtij rajoni. Këto ekipe janë marrë me goditjen e krimeve si trafikim i drogës, pastrim parash, më shumë se 50 çështje janë mbështetur nga vendi juaj,” tha ai.

Schmid më tej theksoi mbështetjen e Eurojust për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Ai tha se do të ishte kënaqësi e madhe nëse Shqipëria do të bëhej vend anëtar.

“Të lehtësohet rruga juaj drejt anëtarësimit në BE. Ne bëjmë vlerësimin tonë vjetor lidhur me progresin për bashkëpunimin gjyqësor dhe dua t’ju garantoj që mund të besoni me ne. Mbështesim rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe do ishte kënaqësi e madhe nëse do bëheshit vend anëtar,” tha ai.