Asambleja e SEPCA-s në Berat, tribunë vlerash dhe bashkëpunimi
Asambleja e SEPCA-s në qytetin e Beratit, simbol i trashëgimisë dhe paqes, nuk ishte një takim rutinë. Ajo u shndërrua në një model komunikimi modern dhe qytetar, falë drejtimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Me një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe të ndershme, por të mbështetur fuqishëm mbi ligjin, Proda dha një leksion civilizimi institucional, duke e kthyer Asamblenë në një tryezë të sinqertë reflektimi dhe bashkëpunimi rajonal.
Në thelb të mesazhit të tij ishin dy shtylla:
Qytetarët si thesari më i çmuar i Policisë, dhe
Ligji si “bibla” që udhëheq çdo veprim të punonjësve të rendit.
“Bibla e Policisë, në çdo shtet demokratik, është ligji. Dhe themeli i çdo marrëdhënieje të ndershme është respekti për qytetarin”, u shpreh Ilir Proda, duke vendosur një standard të ri civil e institucional, që rezonoi me kolegët e rajonit.
Ky komunikim civil dhe qytetar e diferencoi qartësisht nga drejtuesit e mëparshëm, duke sjellë frymën e transformimit të brendshëm që Policia e Shtetit po përjeton sot.
Mbështetje e qartë për Kosovën Në një akt të qartë solidariteti, Proda shprehu mbështetje të plotë për Policinë e Kosovës, dhe ftoi homologët rajonalë që të pranojnë Kosovën si anëtare të plotë të SEPCA-s – një mesazh i fortë për përfshirje dhe respekt në frymën e bashkëpunimit evropian.
Asambleja e SEPCA-s në Berat solli më shumë se një agjendë formale. Ajo prodhoi një mesazh të qartë për një Evropë Juglindore më të sigurt, më të drejtë dhe më afër qytetarit – me një polici moderne, të përulur dhe të vendosur për të shërbyer sipas ligjit.