Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë vendimin e qeverisë për mbylljen e aplikacionit “TikTok”. Vendimi u mor pas kërkesës së bërë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative (BIRN) dhe Qendra për Fuqizim Ligjor, për mbylljen e menjëhershme të tij. Kushtetuesja ka pranuar kërkesën për shqyrtimin e vendimit të qeverisë, por ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e vendimit të Këshillit të Ministrave.
Çështja do të kalojë në seancë publike dhe të ftuara si palë të interesuara janë Autoriteti për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Por në vendimin e mëposhtëm, Kushtetuesja kërkon që palët që kanë bërë kallëzimin të dorëzojnë parashtrime me shkrim nëse kanë argumente shtesë për çështjen.
“Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetues, po në datën 02.05.2025, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, (ligji nr.8577/2000) ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike të kërkesës së kërkuesve shoqata “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë”, qendea” Rrjeti Ballkanik për gazetarinë Investigative, Shqipëri, si dhe thirrjen në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të interesuara të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Gjithashtu, po me vendimin e datës 02.05.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën për pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 151, datë 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “TikTok”, publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 47, datë 07.03.2025, vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim,”-thuhet në vendim.
Pse u mbyll TikTok?
Vendimi për bllokimin e TikTok u mor nga qeveria pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Kryeministri Edi Rama tha se dhuna dhe gjuha e urrejtjes që shpërndahet në TikTok po ndikon për keq në shoqëri, ndaj pas një diskutimi me prindër dhe mësues, vendosën për mbylljen e TikTok. Por, pas vendimit ka pasur një reagim nga kompania mëmë, e cila bëri me dije se i mituri nuk kishte një llogari në aplikacionin e tyre, por në “Snapchat”. Këtë version e ka mbështetur edhe familja e Martin Canit. Megjithatë, duket se sqarimi i tyre nuk është marrë parasysh për vendimin final.
Ndërkohë, një ditë më parë, Asocacioni për Gazetarët Shqiptarë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen anti-kushtetues të vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e platformës TikTok.
Kur do hapet TikTok?
Tashmë, kompania, e cila ka 1.5 milion përdorues shqiptarë, thuhet se është në diskutime me qeverinë Rama për të sjellë një paketë me masa sigurie. Nga kreu i qeverisë është bëre me dije se Ministria e Arsimit dhe Sportit së bashku me autoritetet rregullatore sektoriale pritet të komunikojnë dhe negociojnë me përfaqësuesit e platformës “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera online, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë. Por nga vendimi për mbylljen e aplikacionit, deri më tani, nuk ka pasur të reja nga “negociatat” me kompaninë.