Seattle Sounders ka në skuadër një prej talenteve më të veçantë, Georgi Minoungou. Sulmuesi 22-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, edhe pse i verbër në syrin e majtë, po shndërrohet në gjenerator të kreativitetit në krahun e djathtë të sulmit.

Rrugëtimi i tij nisi me futbollin e rrugës në moshë të re, një shkollë e vërtetë jetese në fshatin e lindjes. Pas karrierës në MFK Vyškov dhe huazimit te Tacoma Defiance, ai lëvizi në elitën e MLS, duke fituar kontratë me ekipin e parë të Sounders në gusht 2024.

Në fillim të vitit 2023, gjatë përgatitjeve në Marbella, një infeksion i rëndë në syrin e majtë e detyroi të operohej, por sëmundja ia rrëmbeu shikimin. Ai e humbi plotësisht vizionin në atë sy. Mjekët paralajmëruan se syri mund të duhej hequr, por falë ndërhyrjes e ruajti strukturën, megjithatë shikimi mbeti i humbur.

Vetëm një vit e gjysmë më vonë, ai ishte sërish në fushë me energji të papërmbajtshme. Që atëherë, ka zhvilluar 13 ndeshje me ekipin e parë në MLS, duke shënuar një gol dhe dhuruar 5 asistime.


Shtysa e rradhës erdhi me Botërorin për Klube, ku Seattle është në grupin e Atletico Madridit dhe PSG-së. Minoungou debutoi në këtë kompeticion madhor, duke bërë të gjithë të mendojnë: “Ky i ri me një sy, si ia del të luajë në Botërorin e Klubeve?!”

Fjalët e tij ta prekin shpirtin: “Syri im i majtë nuk funksionon, por vijoj të punoj… Unë kam një sy, por mund të bëj më mirë se ata që kanë dy sy”. Një deklaratë plot siguri dhe guxim. Trajneri Brian Schmetzer tha: “Ai sjell energji, një stil driblingu që neve na mungonte. Vetëbesimi që tregon në një situatë të tillë shëndetësore është i pabesueshëm. Si futbollist vazhdon të dëshmojë nivel të lartë”.

Ky është një rast që i jep kuptim fjalës “përmbysje” në fuqi. Një “hero” që sfidon çdo limit fizik. Nga fshati i Bregut të Fildishtë te skena më e madhe globale e klubeve, Georgi Minoungou është shembulli që kur ke një ëndërr, mund të bësh gjithçka për ta përmbushur, edhe me një sy.