Për 90 minuta ekipi ynë kombëtar arriti të ishte superior ndaj ekipit serb me një lojë të jashtëzakonshme me zemër. Si rrallëherë, ekipi nuk u dorëzua deri në minutën e fundit, edhe pse fati nuk ishte në anën e tij. Një nga lojtarët më të mirë të ekipit kombëtar, Rei Manaj, do ta vuajë gjatë humbjen e penalltisë që mund të kishte ndryshuar historinë e kësaj ndeshjeje.

Tifozët e zjarrtë të ekipit kombëtar arritën të përmbahen, përveç disa incidenteve të vogla, të cilat janë normale në një ndeshje me kaq ngarkesë emocionale, që vjen nga historia mes dy vendeve.

Fitorja e parë e ekipit tonë në këtë ndeshje ishte epërsia. Ekipi ynë ishte në epërsi në çdo minutë të lojës deri në fund të saj, duke e izoluar Serbinë dhe duke i detyruar të mbroheshin dhe të inskenonin në rastet e incidenteve.

Fitorja e dytë e madhe e tyre ishte që çdo lojtar dha maksimumin, dhe vepruan si një ekip i bashkuar, i padorëzuar dhe i pathyeshëm deri në fund. Është nga rastet e rralla kur ekipi ynë mposhti emocionet e diktuara nga një tifozëri e zjarrtë dhe dëshmoi se është zot i fushës së vet.

Dhe fitorja e tretë më e rëndësishme ishte që provuan se janë ende në lojë për të pretenduar vendin e dytë në grup, pavarësisht se ishin aq afër fitores, pa e prekur dot fatkeqësisht atë.

Ky është nga ato raste kur barazimi është i padrejtë, por mposhtja e kundërshtarit të bën të ndihesh fitues.

E vetmja meritë e Serbisë ishte që arriti të mbrohej deri në fund. Dhe kjo flet shumë për bilancin e kësaj ndeshjeje. Për fat, tifozëria e zjarrtë arriti të vetëpërmbahej, duke mos ia prishur festën ekipit tonë kombëtar dhe duke i dëshmuar Serbisë se ishin në një fushë ku kundërshtari nuk i donin të vrarë, por të mundur. Ndryshe nga histeria që pat shoqëruar ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd 11 vite më parë, në Tiranë Serbia u ndesh me një ekip që e vuri poshtë dhe nuk e la të ngrinte kokën deri në fund. Fati nuk ishte në anën tonë për të qenë fitues me pikë të kësaj ndeshjeje, por ishim pa diskutim fitues me zemër.

Ajo që kërkonte shumica e shqiptarëve sonte!