Analisti Arben Meçe, komentoi raportin e publikuar të komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri. Në raport listohen boshllëqe dhe probleme me të cilat vijon të përballet sistemi gjyqësor dhe institucionet shqiptare të Drejtësisë.

Ndërkohë puna e SPAK u vlerësua nga Brukseli, ndërsa raporti po ashtu thotë se kjo strukturë e re e drejtësisë ka besim të lartë nga publiku dhe këtë e ka dëshmuar me goditjen e rasteve të korrupsionit në nivele të larta.

Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, Meçe tha se SPAK ka prodhuar një profil të qartë të luftës kundër krimit të organizuar apo edhe kundër korrupsionit. Sipas Meçes një betejë që SPAK duhet dhe sipas tij do ta fitojë është ajo e krimeve zgjedhore.

“Ballafaqohemi me një sistem drejtësie që unë e quaj të shkatërruar. SPAK ka prodhuar një profil të qartë kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe ka dhënë shembuj të rezultateve të suksesshme të tij. Nuk ka asnjë rezultat të krimit zgjedhor. Do ketë rezultat? Është një betejë që them se do e fitojë, kemi dy zona si Malësia e Madhe dhe Kavajë, pasi ekziston një precedent dhe SPAK do tregojë që ka qenë aktiv, sepse shkeljet janë të përmasave të tilla që janë në shkelje. Jemi ende në hetim, ai po kërkon në gjithë Shqipërinë të bëhet rinumërimi. SPAK-u prodhon prova dhe fakte të mjaftueshme që ia shpie edhe KAS, dhe menjëherë KAS urdhëron pavlefshmërinë dhe dalin në rezultatin e tretë të SPAK që edhe në krimin zgjedhor ka rezultuar i suksesshëm.

Nga ana e tij analisti Frrok Çupi vlerësoi raportin e BE, ndërsa tha se vendosi standarde të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri.

“Vendosi standardin që në Shqipëri drejtësia po bën punën e duhur, ka goditur në zyrtarë të lartë. Tha që SPAK në Shqipëri do të jetë jetëgjatë. Edhe institucionet e re të drejtësisë, BE tha se duhet rinovuar herë pas herë drejtësia, pra la të kuptohej se ka nevojë për rinovim. Po ashtu tha se duhet të përsoset mbi bazat e meritës. Dhe një tjetër mesazh ishte se nuk duhen goditur, por që janë të kritikueshëm. Shpejtësia në gjykim është në nivele të ulëta dhe në konkluzion, pra parandalimi ka humbur. Pasi parandalimi është parimi bazë i drejtësisë”, tha ai.