Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, tha se përmes buxhetit të shtetit do të shtohen mjete për forcat zjarrfikëse për t’i bërë ballë situatës së zjarreve veçanërisht gjatë verës.
Në një takim me 61 drejtues të Shërbimit Zjarrfikës në vend, ministri tha se fokusi duhet të jetë te parandalimi dhe ndëshkimi i zjarrvënësve.
“Asnjë rast nuk duhet dhe nuk do të mbetet pa përgjegjës. Zjarri nuk është thjesht një fenomen natyror, është shpesh një akt kriminal. Përballë sfidave me zjarret, ne kemi nevojë për më shumë se sa reagim. Duhet parandalim. Për këtë, na duhet një bashkëpunim i ngushtë me të gjitha strukturat vendore të emergjencës, me njësitë administrative, me kryepleqtë, me shoqërinë civile dhe vetë qytetarët. Duhet të forconi koordinimin në nivel vendor, të kryeni inspektime paraprake në zonat me risk të lartë, të rrisni gatishmërinë dhe të zbatoni planet lokale të emergjencës’, tha ai.
Ministri Hoxha bëri me dije se po punohet në drejtim të pajisjes së strukturave zjarrfikëse me mjete dhe ambiente sa më të përshtatshme pune.
“Ministria e Brendshme do të sigurojë gjithë mbështetjen institucionale për t’ju pajisur me mjetet, informacionin dhe mbështetjen e nevojshme. Stacione të reja, si ky ku po zhvillojmë këtë takim sot, këtu në Kinostudio do të shtohen. Mjete të reja do të sigurohen, përmes buxhetit të shtetit, fondeve të bashkive apo donatorëve. Këta të fundit janë prezentë dhe dua të shpreh një falënderim për kontributin e vyer të tyre’, tha ai.