Holli i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka pritur këtë të mërkurë në një ceremoni të veçantë një numër miqsh dhe bashkëpunëtorësh të diplomatit të ndjerë Ilir Shqina. I pranishëm ka qenë dhe vet ministri Igli Hasani dhe familjarët e Shqinës.

“Sot në mjediset e MEPJ nderuam figurën e të ndjerit Ilir Shqina – diplomatit, akademikut, mikut të gjithësecilit dhe një kolegu të përkryer, i cili spikati në çdo moment për vlerat e larta njerëzore, profesionale dhe integritetin në shërbimin publik.

I paharruar qoftë përherë kujtimi i Ilirit dhe shpirti i tij u prehtë në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe dashamirësve të tij”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Ministrisë së Jashtme, ndërsa publikohet dhe pamje nga ceremonia.

Diplomati dhe ish-bashkëshorti i Grida Dumës, është ndarë papritur nga jeta katër ditë më parë, duke lënë pas një boshllëk të madh për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër.

Ilir Shqina ishte një figurë e njohur në diplomaci dhe më herët ka kontribuar edhe në fushën akademike si pedagog.