Kombëtarja shqiptare e futbollit do rikthehet në fushë gjatë shtatorit, ku në program është ndeshja e Grupit K kualifikues në Kupën e Botës kundër Letonisë, e programuar për më 9 shtator në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare” të Tiranës.

Në shtator kuqezinjtë kanë vetën një datë të zënë, teksa para Letonisë po mendohet për një miqësore. ‘Panorama Sport’ bën me dije se Shqipëria do luajë kundër Gjibraltarit më 4 ose 5 shtator një miqësore historike kundër skuadrës modeste, e cila do jetë e para në histori mes tyre.

Në nëntorin e 2020 një miqësore ishte vendosur mes dy skuadrave në “Elbasan Arena”, por që u anulua për shkak të Covid-19. Tanimë gjithçka është lënë pas dhe duket se kushtet janë pjekur që dy kombëtaret të luajnë për herë të parë kundër njëra-tjetrës.

Rival modest për skuadrën e Sylvinhos, me Gjibraltarin që ndodhet në vendin e 196-të në renditjen e FIFA-s për skuadrat kombëtare.