Në një deklaratë që doli jashtë skenarit të zakonshëm të konferencave për shtyp, kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk e fshehu habinë për një detaj që e quajti “surprizues” në lidhje me operacionin antidrogë të zhvilluar sot në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Jo për sasinë e drogës, jo për arrestimet, por për llojin e drogës që trafikonte grupi kriminal shqiptar.
“Na ka bërë përshtypje si SPAK sepse është hera e parë që evidentojmë një grup kriminal që shet drogë sintetike. Kemi parë që grupet shqiptare janë të dhëna pas kokainës, heroinës dhe kanabisit, por tani është hera e parë që shohim një grup që vepron në fushën e trafikimit të drogave sintetike,” – u shpreh Dumani, i cili për herë të parë e pranoi publikisht këtë ndryshim në “profilin kriminal” të rrjeteve shqiptare të trafikut ndërkombëtar.
Operacioni u finalizua në orët e para të mëngjesit të sotëm pas një hetimi dyvjeçar me autoritetet finlandeze. Grupi kriminal i goditur, i përbërë kryesisht nga shqiptarë me origjinë nga Vlora, trafikonte amfetaminë nga Spanja dhe Holanda drejt Finlandës, duke shënuar një risi alarmante në shtrirjen dhe përmbajtjen e veprimtarisë së tyre.
Habia e Dumanit dhe heshtja e Policisë
Në sfondin e kësaj “arritjeje të rrallë”, deklaratat e Policisë së Shtetit ditën e sotme patën një ton më realist, duke e konsideruar operacionin “të një vështirësie mesatare”, gjë që vihet në kontrast të drejtpërdrejtë me entuziazmin e SPAK.
Ndërkohë, ky rast ka ngjallur interes edhe për një tjetër arsye: kalimi i grupeve kriminale shqiptare nga kanabisi e kokaina tek droga sintetike, e cila prodhohet më lirë, trafikohet më lehtë dhe ka margjina më të larta fitimi.
Nëse ky është një rast i izoluar apo sinjali i një prirjeje të re në krimin shqiptar, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, vetë SPAK nuk e priste këtë lloj droge./Lexo.al