Nga Namir Lapardhaja

Ndonëse kishte ditën e paraqitjes në SPAK, Berisha mungoi.

Sipas asaj që u njoftua, shkak u bë një virozë. Krejt e natyrshme për çdokënd dhe mëse normale për çdo njeri.

Ajo që të bie në sy është se çdo paraqitje e Berishës në Prokurorinë e Posaçme ka marrë tashmë përmasa të një show-i të përmuajshëm. Ai del përpara një turme të vogël militantësh, lëshon mallkime dhe akuza ndaj Dumanit dhe Gjokës, pastaj përbetohet se do të rrëzojë qeverinë e drogës dhe të krimit. Pas kësaj shfaqjeje, vijon me të njëjtat akuza nga selia e PD-së, akuza të cilat merren nga mbështetësit e tij dhe si rrjet tanzmisioni përsëriten papushim, pa hequr pikë e presje.

Pra, i gjithë aktiviteti ditor i PD-së është pikërisht përçimi i mesazhit të Berishës, i cili, në fakt, nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë që shoqëria shqiptare kërkon të dëgjojë, sepse nuk ka asnjë lidhje me hallet dhe problematikat e saj të përditshme. Nuk mund të shpjegohet ndryshe edhe rezultati katastrofik i 11 Majit. PD-ja dhe shoqëria shqiptare janë në korsi të kundërta.

Pas gjithë kësaj panorame, ajo që është evidente është se një ditë që Berisha, si çdo tokësor sëmuret dhe nuk është prezent në media, i gjithë aktiviteti i PD-së ndalet. Nuk ka asnjë lajm apo zhvillim politik prej saj.

Ndofta kjo korrenspondon edhe me ditët e nxehta të qershorit dhe të gjithë drejtuesit e saj kanë shkuar që tani me pushime për t’u përgatitur për betejën e zjarrtë të shtatorit, mirëpo një gjë është e sigurt: Doktori, pastë jetë dhe shëndet, por një parti që të gjithë fatin dhe aktivitetin e saj politik e lidh me shëndetin e një 80-vjeçari, nuk i ka edhe aq mirë punët.