Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvio Mendes Campos Junior, ose thënë ndryshe Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë folur për mediet në ‘Arenën Kombëtare’ para ndeshjes kundër Serbisë. Ky duel luhet të shtunën e 7 qershorit në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.
Kapiteni Berat Gjimshiti u ndal te fokusi në këtë duel. ‘Duhet të mendojmë vetëm për fushën dhe të marrim pikët. Sytë e një kombi te ju? Vetëm me paraqitjen në fushë në 100 përqind, ky është mesazhi, të bëjmë më të mirën në fushë. Kemi pasur kohë dhe e kemi studiuar kundërshtarin që është shumë i fortë, ama edhe ne kemi lojën tonë’, tha kapiteni.
Në historinë mes përballjeve mes dy skuadrave, tanët nuk kanë asnjë fitore dhe ka ardhur koha për tri pikë në shtëpi, që do na afronin më pranë objektivit që është vendi i dytë që të dërgon në play-off e Botërorit. Nëse heqim fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë (14 tetor 2014), Serbia na ka mposhur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuarve.