236 ditë në burg, nuk ia kanë ndryshuar Ilir Metës qëndrimin se beteja e tij me drejtësinë është hakmarrje politike. Me një dënim të marrë vetëm pak ditë më parë për të mos bërë aktivitet sportiv brenda burgut, pasi iu përgjigj telefonatave edhe pas orarit të lejuar, kreu i Partisë së Lirisë jep një intervistë për Report tv, ku ndryshe nga sa ka akuzuar ish bashkëpunëtorët më herët, thotë se nën drejtimin e tij, ish LSI nuk ka kryer lobim të paligjshëm.

“Unë e përjashtoj kategorikisht që gjatë kësaj kohe të drejtimit tim, LSI, ka kryer lobim me para të padeklaruara. Është SPAK-u që e ka këtë pretendim se në SHBA janë bërë pagesa për kompanitë lobuese për interes të LSI”, thotë Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë u pyet edhe mbi rezultatin thellësisht të dobët të zgjedhjeve të 11 majit. Duke thënë se kandidimi i tij nuk kishte qëllim final marrjen e mandatit, ai e lë përgjegjësinë e rezultatit tek përfaqësimi i ulët në koalicion.

“Për shkak të koalicionit, ne ishim në funksion të strategjisë të zgjedhur nga PD dhe pak mundësi protagonizmi”, vijon ai.

Nga burgu, Meta kërkoi rinumërim për votat në Kavajë, pasi nuk e beson se në këtë bashki edhe miqtë e ngushtë e tradhtuan.

“Rinumërimin në Kavajë e kërkova unë se mu duk rezultat i pabesueshëm, pasi dilnin më pak vota se sa letra unë ju kisha dërguar shokëve, miqve të shumtë”.

Refuzon të pranojë që rezultati që opozita mori në 2021 ishte meritë e drejtuesve të asokohe, Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit. Madje, për ish kryedemokratin ironinë e ka gati.

“Në 2021 përballë dhunës zgjedhore të Narkoregjimit, qëndronte një President Republike që denonconte çdo akt dhune ndaj opozitës. Për lidershipin që folët, e pamë në këto zgjedhje si doli lideri euroatlantik, nga që i mbeti në gojë 313 gjithë fushatës”, thotë kreu i PL.

Pavarësisht fatit të tij ligjor, njëjtë si aleati i tij Sali Berisha, Ilir Meta refuzon të pranojë largimin nga politika.