Nga Skënder Minxhozi
Doni t’i gjeni një përcaktim të shkurtër dhe përmbledhës asaj që po ndodh në Partinë Demokratike pas 11 majit?! Mjafton të shqiptoni togëfjalëshin “neni Basha” dhe i keni thënë të gjitha. Nuk ka nevojë as për analiza, refleksione, kalkulime a tjerrje të këtij lloji. Shihni si u soll kreu i partisë në momentin që u vu përballë shifrave zgjedhore dhe do të kuptoni gjithçka. Do të kuptoni përse partia po hesht teksa u tkurr me 250 mijë vota krahasuar me katër vite më parë. Do të kuptoni përse Berisha dhe të tjerët që tashmë janë emëruar deputetë janë kaq të qetë dhe bëjnë një luftë imagjinare sa për sy e faqe me kutitë e votimit sa për të kaluar vapën.
Do të kuptoni përse stanjacioni e jo rotacioni apo rinovimi i elitës drejtuese janë alfa dhe omega e Partisë Demokratike qyshse përzunë me hunj e shkallë zjarrëfikësish nga selia kryetarin humbës tre vjet të shkuara. Do të kuptoni më në fund përse Edi Rama ka luksin të mos lerë mbledhje a konferencë (apo edhe dasëm) pa marrë pjesë në Evropë e SHBA, duke lënë në Tiranë shqytarët e vet që të merren me folklorin elektoral të opozitës.
E keqja e epokës teknologjike që jetojmë është se asgjë që thuhet publikisht nuk zhduket më. Google dhe gjigandët e tjerë të botës dixhitale kanë shpikur madje “të drejtën e harresës” si mjet për t’i hequr nga qarkullimi disa ngjarje e lajme të vjetra. Por ja që deklaratat e Berishës në momentin kur PD miratonte nenin e largimit të kryetarit në statutin e ri, janë ende në rrjet. Ai deklaronte, fjala vjen, në 1 dhjetor 2021 se “kryetari do të largohet, nëse humb zgjedhjet, pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet “Neni Basha”! Duke e shoqëruar propozimin me lëvizjen karakteristike të dorës kur dëshëron të garantojë ata që ka përpara, Doktori mundi t’i shkëpusë disa duartrokitje e fishkëllima entuziaste militantëve të mbledhur në sallë, por siç ka ndodhur rëndom me garancitë e tij publike, ato kanë qenë fjalë të shkruara në akull.
Mund t’i shohë kushdo dhe të provojë sesa pak përputhen këto fjalë sot me qëndrimin në zyrë të Sali Berishës. Mund të shohë fjala vjen edhe atë që deklaronte Gazmend Bardhi tre vjet më parë e ta krahasojë me atë që thotë këro orë në favor të qëndrimit të Berishës edhe pasi mbeti 33 mandate prapa Edi Ramës në zgjedhje.
“Neni Basha” është sot totemi i vërtetë që mban në këmbë PD-në e sotme, filozofinë e saj të vijimësisë dhe të kultit të individit. Sikur të mos kishte një nen të posaçëm për shkarkimin e kryetarit të PD, nuk do të dinim si ta përkufizonim shpejt e me pak fjalë refuzimin e tij për të ikur nga detyra. Neni në fjalë nuk parasheh sesa të vështira kanë qenë zgjedhjet për partinë, sesa hajdute ishte pala tjetër dhe sesa “rrethana” specifike u bënë pengesë për fitoren e garës elektorale. Ky nen, sipas ngulmimit dhe batutave ironike që Berisha përdorte në momentin që aprovohej uninamisht dhe duke mallkuar “Lul bravën”, nuk duhej të linte asnjë shteg për justifikime. Të tillë e donte Berisha dhe të tjerët asokohe. Rigoroz, të prerë dhe të paapelueshëm. Ironia e 11 majit provoi se guri i hedhur lart në atë moment, ra shpejt mbi kokat e propozuesve të nenit. Koha dhe graviteti fitojnë gjithnjë, thonë ligjet e fizikës.
A ka nder më të madh për Lulzim Bashën sesa të krijosh një dispozitë staturore me emrin e tij e cila parasheh shkarkim automatik në rast humbjeje të zgjedhjeve, e më pas kur kjo rrethanë të paraqitet, ti ta refuzosh atë publikisht dhe me insistim! Basha arriti një rezultat elektoral në kufinjtë e komikes, por për një gjë duhet të jetë i kënaqur: ata që e larguan e kanë kthyer në simbolin e papërgjegjshmërisë së tyre. Me siguri do të jetë duke fërkuar barkun nga kënaqësia që nga 12 maji. E dënuan me një nen të cilin nuk po e zbatojnë ata vetë të parët…